I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i cenueshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze, por “një pjesë e madhe” e tyre vjen nga Serbia dhe ky është një “problem i madh që duhet të adresohet”, thotë James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit.
Qendra është një organ i Departamentit amerikan të Shtetit, e krijuar për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit.
I pyetur se si e komenton hapjen e Russia Today – organizatë ndërkombëtare e lajmeve e kontrolluar nga shteti rus – në Serbi, Rubin thotë:
“Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media [të tjera] ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen”.
“Pjesa më e madhe e dezinformatave vjen nga Serbia”
Radio Evropa e Lirë: A është ndonjëri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor më i cenueshëm përballë dezinformimit rus dhe kinez?
James Rubin: Unë mendoj se i gjithë rajoni është i cenueshëm në përgjithësi ndaj problemit, sepse mediat përhapen gjerësisht në rajon nga shumë vende të ndryshme. Natyrisht, një pjesë e madhe e saj vjen nga Serbia. Dhe, ky është një problem i madh që duhet të adresohet.
Por, qeveritë e tjera në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, duhet t’i parandalojnë ose të përpiqen t’i parandalojnë këto gënjeshtra që të përhapen, duke përdorur çdo mjet që munden. Ne do të donim të shihnim që ato krijojnë njësi qeveritare, që mund të fillojnë ta shqyrtojnë dhe analizojnë këtë problem, në mënyrë që ne të mund të përpiqemi ta ndalojmë atë.
Radio Evropa e Lirë: Këtë herë nuk do të udhëtoni në Serbi?
James Rubin: Nuk do të udhëtoj në Serbi me këtë rast. Shikoni, unë jam realist. E di se, duke marrë parasysh të kaluarën time, unë nuk jam ndoshta diplomati më i mirë për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe. Unë jam në dijeni për realitetet e rajonit. Nga ana tjetër, ne kemi një mundësi tani – dhe mund të flasim për këtë në një minutë – ku Serbia dhe Kosova mund të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe ne t’i lëmë pas disa nga këto padrejtësi të së kaluarës.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni hapjen e [mediumit rus] Russia Today në Serbi, vitin e kaluar, dhe përhapjen e dezinformatave prej tij?
James Rubin: Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media [të tjera] ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen. Ato janë mbyllur në pjesën më të madhe të komunitetit evropian.
Mendoj se qeveritë që duan të jenë pjesë e Evropës, duhet të kuptojnë se Evropa ka marrë një qëndrim të guximshëm dhe të fuqishëm kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Ky është rregulli numër një i sistemit ndërkombëtar, që nuk duhet ta pushtoni fqinjin tuaj.
Rusia e ka thyer këtë rregull. Qeveritë që duan të jenë pjesë e Evropës, duhet të kuptojnë se nëse bashkohen me Rusinë, ato i vënë në rrezik marrëdhëniet e tyre me Evropën.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...