Google ADS

Pishina e Gërmisë gati për hapje, presin konfirmimin nga Instituti i Shëndetësisë Publike

09:05 | 13 Qershor 2020
Arbresh.info

Pishina e Gërmisë pothuajse ka përfunduar gjithë përgatitjet për hapjen e saj por që tani duhet përgjigja e Instituti të Shëndetit Publik të Kosovës se kur mund të hapet në mënyrë që qytetarët të mund ta frekuentojnë dhe të freskohen gjatë sezonës së verës.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica në një intervistë për arbresh.info ka thënë se koha para sezonit veror ka qenë jo e zakonshme për të gjithë ata për shkak të virusit Covid-19.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica

“Ne si ndërmarrje publike “Sport Marketing”, që menaxhojmë me pishinën e Gërmisë që është njëri prej aseteve të ndërmarrjes kemi punuar krahas afateve dhe traditës që e ka ndjek në të kaluarën ndërmarrja dhe kemi filluar mbushjen me ujë të pishinës në kohë kur edhe është kërkuar, tani jemi në përfundim e sipër, brenda dy tri ditësh është gjithçka gati teknikisht, jemi gati për me i hap dyert për gjithë qytetarët e Prishtinës por edhe Kosovës gjatë këtyre ditëve të sezones verore, ne po presim përgjigje prej Institutit të Shëndetit Publik por prapë se prapë do të koordinohemi në momentin që marrim leje prej tyre edhe me kryetarin Prishtinës, zotin Ahmeti dhe në koordinim me të do të bëjmë publike, do të informojmë qytetarët se kur do të jetë data e sakte e pishinës”, ka thënë Llapashtica për arbresh.info.

Llapashtica thotë se çmimet do të jenë minimale, 2 euro për të rritur ndërsa 1 euro për të fëmijët ndërsa ka folur edhe për pjesën e ushqimit dhe risitë të cilat do të jenë këtë vit.

“Sa i përket pjesës së ushqimit këtu brenda pishinës këtë vit jemi kujdes që maksimalisht të jetë gjithçka në nivel, kemi marr masa preventive dhe jemi me profesionistë të vërtetë të cilët do të shërbejnë ushqimin, poashu do të ketë aktivitete tjera rekreative, sportive që do të ketë kësaj vere risi, është fusha e Waterpolos, shkolla e notit, shkolla e tenisit, amfiteatri e cila do të shfrytëzohet gjatë ditës për gjithë sportdashësit, kemi projekte që do të jetë kinemaja e hapur te pjesa e amfiteatrit poashtu dhe do të ketë gjatë natës organizime të ndryshme pas mbylljes së pishinës”.

Sa i përket nivelit të sigurisë ai ka thënë se kanë kompanitë që ofrojnë sigurim, ndërsa për sigurinë shëndetësore ai ka thënë se janë ekipet e mjekëve të cilët vendosën këtu.

“Urojmë dhe shpresojmë së pari të mos kemi asnjë rast, por nëse ndodh ndonjë gjë ne kemi edhe një marrëveshje edhe me qendrën e mjekësisë urgjente, por ne jemi në bashkëpunim edhe biseda që këtu do ta kemi një ekip mjekësorë prej Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilët do të ofrojnë shërbimin mjekësor brenda pishinës”, është shprehur ai.

Gjithashtu sa i përket shpëtimtarëve, Llapashtica ka thënë se janë në konsulta me Fakultetin e Edukatës Fizike të cilët do të jenë të gjithë të licencuar dhe do të kenë shërbimin maksimal në atë drejtim.

Ndërsa sa i përket pishinave private pronaret dhe menaxherët thonë se hapja e tyre varet nga koha e nga Qeveria.

Besart Haradinaj, menaxher në “Dubai Pool” ka thënë se pishinën do ta hapin me rritjen e temperaturave, dhe se pandemia ka gjasë se mund të ndikojë në shtyrjen e datës.

“Ne po presim koha deri të nxehët, ka gjasë që të ndikojë edhe pandemia. Nuk e di, ne jem në fazën e tretë prej një qershorit nuk ka kanë thënë asgjë tjetër”, tha Haradinaj nga Dubai Pool.

Kurse Fadil Kadriu pronar nga Pishina “Crazy”, ka thënë se pishinën do ta hapin kur të vendosë Qeveria e Kosovës, i cili shton se Covid-19 do të ndikojnë në uljen e numrit të vizitorëve.

“Kurdo që Qeveria e Kosovës vendosë sepse ende është frika tek qytetarët që të i frekuentojnë këto vende për shkak të infektimit të mundshëm, e kjo do të ndikojë shumë tek ne si biznese”, u shpreh Kadriu.

Kujtojmë, që as vitin e kaluar pishina e Gërmisë nuk kishte pasur datë zyrtare për hapje./R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme