Për herë të parë, pirja e duhanit tek meshkujt ka shënuar rënie, një zhvendosje kjo në epideminë globale që ka sjellë pasoja në jetët e dhjetëra miliona njerëzve përgjatë dekadave.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka parë një rënie të pirjes së duhanit mes grave dhe vajzave më parë.
Por, sipas një raporti të ri të OBSH-së, për herë të parë, ka patur një rënie të duhanpirjes në mesin e meshkujve në vitin 2018.
Dr. Ruediger Krech është drejtor për promovimin e shëndetit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Kjo është e rëndësishme për ne, sepse në 20 vitet e fundit burrat ishin ata që pinin duhan më shumë dhe në mesin e tyre kurrë nuk kemi parë rënie. Ne kemi parë rënie të duhanpirjes në mesin e grave, por kurrë te burrat”.
OBSH thotë se çdo vit tetë milion njerëz vdesin nga pirja e duhanit.
Organizata thotë se kjo prirje e rënies së pirjes së duhanit në mesin e meshkujve është rezultat i fushatave kundër pirjes së duhanit të sponsorizuara nga një numër qeverish.
Alison Commar është një nga autorët e raportit.
“Raporti zbuloi se shumë përparime janë duke u bërë në kontinentin e Amerikës. Ky është rajoni me shumicën e vendeve që ka të ngjarë të arrijnë objektivin e uljes me 30 për qind. Politikat kundër pirjes së duhanit kanë qenë në fuqi në vendet e këtij rajoni për një kohë pak më të gjatë, dhe kjo do të ndihmojë në shpjegimin e suksesit në këtë zonë”.
Por, ajo shton se rajonet e tjera të botës ende përballen me një betejë të fortë.
“Rajoni i Mesdheut Lindor ka shumë vende që sapo kanë filluar të punojnë për kontrollin e pirjes së duhanit. Në Afrikë ka disa vende që kanë punuar për shumë vite për të pakësuar pirjen e duhanit dhe po shohin rezultate të mira, dhe vende që janë në fillim të luftës kundër epidemisë së duhanit”.
Pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri, sëmundje të tjera të frymëmarrjes dhe është një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti dhe sëmundjet e zemrës, kancerin e gojës, fytit dhe llojeve të tjera të kancerit. Për këtë arsye nuk mund të jemi të kënaqur me progresin e deritanishëm, thotë Dr. Krech.
“Ne duhet të vazhdojmë reklamat kundër pirjes së duhanit, që akoma nuk janë të pranishme në të gjitha vendet. Duhet të vazhdojmë me rritjen e taksave ndaj duhanit dhe natyrisht nuk duhet të pimë duhan në vende publike.”
Raporti i OBSH-së parashikon që deri në vitin 2020, do të ketë 10 milionë më pak duhanxhi në përgjithësi, burra dhe gra, sesa në vitin 2018. Por, pavarsisht progresit të shënuar, arritja e objektivit global të vendosur nga qeveritë për të ulur përdorimin e duhanit me 30 për qind në pesë vitet e ardhshme nuk është në rrugën e duhur.
Bazuar në progresin aktual, deri në vitin 2025 do të arrihet një ulje e pirjes së duhanit me vetëm 23 për qind.
Pakistan: 82 njerëz të vrarë në tri ditë si pasojë e dhunës ...
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...