Ky është Afrim Zabeli…
Ishte vetëm tetë vjeçar, kur lufta e fundit në Kosovë ia mori babanë dhe vëllain.
Pikërisht ky, ishte momenti kur ai si fëmijë vendosi t’i shërbejë atdheut duke u bërë kështu pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
Afrim Zabeli, duket se ia ka arritur qëllimin, duke u bërë piloti i parë ushtrisë më të re në botë, të cilën vendi ynë e gëzon.
Togeri 28 vjeçar që vjen nga Rezalla e Drenicës të Komunës së Skenderajt, rrugëtimin e tij në Ushtrinë e Kosovës e kishte nisur në vitin 2011, e si pilot u certifikua një ditë para se FSK-ja ta merrte epitetin e ushtrisë, shkruan arbresh.info.
“Kam qenë fëmijë. Të gjithë e dinë se lufta e fundit na ka prekur shumë, në këtë luftë unë kam humbur babanë dhe vëllain, dhe kjo ka qenë dëshira ime të jem pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Në vitin 2011 u bëra pjesë e Ushtrisë së Kosovës, në vitin 2012 u hap konkursi për Akademinë Ushtarake të Turqisë, aplikova ku dhe u përzgjodha të jem njëri prej kadetëve që të vazhdoj Akademinë ushtarake në Turqi”, tha Zabeli.
I diplomuar si pilot i FSK-së në Akademinë Ushtarake të Turqisë, në intervistën e dhënë për arbresh.info, tregon se si u përzgjodh të jetë pjesë e këtij shkollimi jashtë vendit.
“Në vitin e fundit të Akademisë Ushtarake, Kosova dhe Turqia e bërën marrëveshjen që pilotët të shkollohen në Turqi. U bë një përzgjedhje siç ishte psikologjik, fizik, me shkrim, u përzgjodha për shkollën e aviacionit tokësor, vazhdova shkollimin 13 muaj. Kjo ishte një kënaqësi e madhe pasi që kjo mundësi nuk i jepet gjithkujt. Por kënaqësia më e madhe ishte kur e përfundova pasi që u bëra edhe piloti i parë i ushtrisë më të re në botë, dhe kjo është një krenari shumë e madhe për mua”, shprehet Zabeli.
Pasi që Ushtria e Kosovës, ende nuk ka një helikopter ushtarak, togeri Afrim Zabeli, duke thënë se fluturimi i mungon shumë, tregon se çfarë pune po kryen aktualisht në Ushtrinë e Kosovës
“Aktualisht jemi duke u marrë me pjesën e dokumentacionit, shpresojmë që Kosova së shpejti do të ketë helikopterët e vetë. Për momentin jemi tre pilotë, dhe dy të tjerë janë duke u shkolluar në aspektin mekanik të helikopterëve në Turqi”, deklaroi Zabeli.
Zabeli më tutje tregon për përvojat e tij që i ka në profesion.
“Shkolla e Aviacionit Tokësor ka zgjatur 13 muaj, ku kam fluturuar me dy lloje të helikopterëve. Gjithsej kam 140 orë fluturim, 30 orë me një helikopter të vogël ‘Agusto Bello 206’, dhe 110 orë kam fluturim me ‘UH1’, që është helikopter më i madh. është kënaqësi të jesh në qiell, pasi që çdo gjë që nuk shihet nga toka, shihet nga lart”, tha ai.
Togeri Afrim Zabeli, kujton edhe kohën e shkollimit të tij në Turqi.
“Kam kujtime shumë të mira. Do e kisha cekur një fazë të fluturimit e cila ka qenë e veçantë për mua që është ‘fluturimi taktik’ që bëhet në një lartësi të ulët dhe ka adrenalinë të madhe. Në këtë fazë e zhvillon vetën në komandë, pilotim, reagime të shpejta ndaj sulmeve nga armiku, lëvizjet taktike, afrimet nëpër bjeshka etj.”, shprehet Zabeli.
Zabeli, duke thënë se sa herë që e kujton babanë dhe vëllain i shtohet dëshira për punë, deklaron se misioni i tij është t’i shërben atdheut në çdo aspekt.
“Unë jam krenar që babanë edhe vëllain e kam martirë. Jam në një institucion që është duke punuar të qojë amanetin e dëshmorëve në vend dhe disa vite me radhë është edhe institucioni më i besueshëm në Kosovë. Sa herë i kujtoj babanë, vëllain dhe të gjithë dëshmorët, vetëm sa më rritet vullneti për punë dhe dashuria për atdheun, të jem sa më i suksesshëm në çdo aspekt, t’i shërbej vendit”, deklaron Zabeli.
Projektligji për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës është miratuar me 14 dhjetor të vitit 2018./A.Begolli/arbresh.info/
https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/591628794996497/
Kryeministri Kurti viziton Kombëtaren e Kosovës, shpreh mbës...
Kooperativa “Krusha”: Që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë ...
E përlotur, Jonida Vokshi rrëfen humbjen e babait: Pati sëmu...
Moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme
Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba – veç p...
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...