Pikat e Rezolutës së Kuvendit, nga Qeveria e Kosovës kërkohet të ndërmerr veprime për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO dhe BE

13:47 | 3 Mars 2022
V. S.

Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute ka dënuar sot agresionin rus në Ukrainë, ndërsa ka ofruar mbështetje për qytetarët ukrainas.

Rezoluta u miratua me 94 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në kohën kur po votohej për Rezolutën deputetët e Listës Serbe nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.

Pikat e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës:

Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrë të ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm të paprovokuar dhe pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion.

Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimor në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji ynë verior Serbia.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e mbështet popullin dhe institucionet e Ukrainës si dhe e dënon vrasjen e civilëve dhe fëmijëve. Gjithashtu, përshëndesim fillimin e hetimeve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe mbështesim dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Kosovës ndaj Federatës së Rusisë në linjë me sanksionet e vendosura nga BE-ja, ShBA dhe gjitha vendet demokratike.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainase t’i koordinoj edhe të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët si dhe të shpreh gatishmërinë e strehimit eventual deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Kuvendi i Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të ndajë një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit të Ukrainës sipas koordinimit ndërmjet dy qeverive respektive.

Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që koordinim me partnerët ndërkombëtar të ndërmarrë veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës i bënë thirrje NATO-së, BE, Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ta shqyrtojë kërkesën dhe ta konsiderojnë rëndësinë e anëtarësimit në to të Republikës sonë.

Kuvendi i Kosovës u bënë thirrje vendeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në harmoni me vendimin e GJND-së ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik, pra njohjen e Republikës së Kosovës.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që konsultim me misionin e NATO-së në Kosovë të rishikojë dhe t’i shkurtojë afatet e parapara të planit dhjetëvjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu mbështetjen financiare për këtë qëllim.

Kuvendi i Kosovës e udhëzon kryetarin e Kuvendit që koordinim me qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar që t’i drejtohen institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros me kërkesë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës duke marrë parasysh aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në BE dhe konsolidimin e demokracisë dhe sigurisë në rajon e fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, atë të Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe shprehin asaj mbështetje./arbresh.info/

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën që dënon agresionin rus mbi Ukrainën

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme