Google ADS

Pezullohet programi master dhe i doktoratës në gazetari

09:04 | 29 Qershor 2017
L G

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka pezulluar dhe programin “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun Prishtinë” në nivelin master në Universitetin e Prishtinës.

Kurse, në të njëjtën program atë të gazetarisë është pezulluar dhe niveli i doktoratës. Programi për studime doktorate “Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit Prishtinë”, është pezulluar po ashtu në Fakultetin e Filologjisë, raporton Zëri.info.

Të dy këto programe kanë pasur akreditim deri në vitin 2019.

Kontaktuar nga gazeta, Blerim Rexha kryetar i KSHC ka konfirmuar për “Zërin” se pezullimi i programeve nënkupton se atyre iu është marrë akreditimi që e kanë pasur.

Kjo sipas tij ka ndodh pasi që nuk kanë plotësuar ndonjë kriter për çka më parë kanë marrë akreditimin.

Rexha ka thënë se mos-akreditimet janë bërë publike dhe gjithë procesi sipas tij është bërë transparent ku pranë secilit program figuron edhe arsyeja se pse është pezulluar programi.

Ai ka bërë të ditur se së shpejti institucioneve do t’iu dorëzohen edhe me shkrim vendimet që më pas të kenë mundësi ta bëjnë ankesën.

Ndërkaq, në njoftimin e agjencisë të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se “në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC i AKA-së ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë dhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 131 programeve të studimit të ofruar prej institucionet publike dhe private të arsimit të lartë”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme