Pezullimi i tatimit në pagë, flasin Qeveria dhe ekonomistët

09:07 | 22 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Lirimi nga tatimi në pagë do të ishte i mirëseardhur e sidomos në këtë kohë pandemie, por kjo duket se as që po diskutohet nga Qeveria e Kosovës. Por, ekonomistët e shohin si mbështetje të nevojshme për punëtorët.

Por, pavarësisht se konsiderohet me efekt pozitiv, Ministria e Financave thonë për arbresh.info se një masë të tillë nuk e kanë të paraparë në programin qeveritar.  “Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2020 si dhe për vitin 2021, ka përcaktuar një sërë masash të rëndësishme për të lehtësuar ndikimin e pandemisë në aspektin socio-ekonomik në vendin tonë. Sa i përket pyetjes suaj për pezullimin e tatimit në pagë, kjo masë nuk është e paraparë në programin qeveritar”, u deklaruan nga Ministria e Financave.

Por një masë si pezullimi i tatimit në pagë, po kundërshtohet nga profesori i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, i cili thotë se nuk mund të ketë ndonjë përfitim të konsiderueshëm për punëtorët nëse ata lirohen nga pagesa e këtij tatimi.

“Duke qenë se paga mesatare e shumicës së punëtorëve në sektorin privat është shumë e ultë, atëherë edhe shuma e tatimit që paguajnë është e vogël dhe nuk paraqet një ngarkesë të veçantë. Andaj, konsideroj se nuk ka ndonjë përfitim të konsiderueshëm për punëtorët nëse ata do të liroheshin nga pagesa e këtij tatimi”, tha Rexhepi.

Ndërsa  ekonomisti tjetër, Safet Gërxhaliu, thotë se tani është koha që të mbështetet sektori privat dhe punëtorët që i përkasin këtij sektori.

“Dua të besoj që është një kohë që të mbështetet sektori privat dhe punëtorët dhe eliminimi i tatimit në paga për këtë sektor kish me qenë vërtet më se i mirëseardhur, shumë kush e kërkon këtë në administratën publike. Mirëpo harrojnë që administrata publike paguhet nga buxheti. Ata i kanë të garantuara pagat në fund të muajit, ndërsa në sektorin privat nuk garanton askush dhe ka pas ndihma shumë të vogla”, tha Gërxhaliu.

Ndryshe në faqen e ATK-së mund të shihni edhe se si kategorizohet paga, në bazë të shumës që merrni.

Paga nga 80 deri në 250 euro tatohet 6.30 euro.

Nga 250 deri në 450 tatohet 14.20 euro

Ndërsa mbi 400 euro tatohet 25.30 euro.

Paga rreth 1000 euro tatohet 72.80 euro./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme