Pezullimi i Rregullores për Caktimin e Avokatëve sipas Detyrës Zyrtare dhe Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas, nga Qeveria e Kosovës, tash e dy muaj po u shkakton dëm të gjithë avokatëve të regjistruar në Odën e Avokatëve.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli i ka thënë “Arbresh.info” se janë në pritje të vendimit të gjykatës, e cila sipas tij duhet ta përshpejtojë lëndën dhe të vendos sa më shpejt për këtë rregullore, sepse interesi është i përgjithshëm.
Ai tregoi se OAK-u para disa dite ka bërë parashtresë për përshpejtimin e rastit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Prokurorit disiplinor i kam thënë me bë një parashtresë që të përshpejtohet dhe t’i jepet prioritet kësaj lënde, sepse nuk është vetëm në interes të OAK-ut, këtu janë të përfshirë Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe ai prokurorial”, u shpreh Havolli.
Ai tha se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga qeveria në largim për kërkesën e tyre për tërheqjen e vendimit për pezullim të kësaj rregulloreje.
“Jo nuk kemi marrë. Ne ia kemi bërë një parashtresë qeverisë që t’a tërheq vendimin për pezullim të kësaj rregulloreje, sepse nëse nuk gaboj sipas nenit 26 të rregullores të punës së qeverisë, nëse qeveria vëren se një vendim që e ka marrë nga seanca e mëparshme prodhon efekte të dëmshme, ka të drejtë ta tërheq këtë vendim”, ka thënë Havolli.
Kjo rregullore që tash për tash është pezulluar, sipas tij ka krijuar një situatë shumë jo të mirë.
Havolli tha se ka raste kur avokati që ka dalë para 1 muaji shkon të mbroj raste në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Sipas tij, pezullimi i kësaj rregulloreje i ka goditur keq jo vetëm OAK-un, por edhe institucionet tjera që kanë qenë pjesë e kësaj rregulloreje, përfshirë Policinë e Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial.
“Jemi në një situatë që kemi qenë në një lloj pritje, tash duhet me intensifiku çështjen në gjykatë sa më shpejt, sepse përndryshe e kemi një situatë të çrregulluar, nuk e kemi në vi të kontrollit dërgimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare. Kjo u ka shkaktuar dëm gjithë avokatëve dhe renditje të mirë të dërgimit të avokatëve në institucion e ku dërgohen avokatët sipas detyrës zyrtare”, tha Havolli.
Në anën tjerë, “Arbresh.info” ka kontaktuar edhe zyrtarë të Qeveris së Kosovës për të mësuar se çfarë ka ndodhur me kërkesën e OAK-ut për ndërprerjen e pezullimit të kësaj rregulloreje, por zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë për këtë çështje duhet kontaktuar Ministria e Drejtësisë.
Ndërsa të kontaktuar, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë kanë përsëritur faktin se më datë 19.04.2017 Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, me të cilin ndalohet përkohësisht zbatimi i Rregullores për caktimin e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas deri në vendimin përfundimtarë nga ana e gjykatës.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Saranda Salihu ka thënë se ky vendim nuk paragjykon vendimin e gjykatës, duke shtuar që MD-ja nuk shfuqizon vendimet e qeverisë.
“Vendimi i cekur më lartë është i bazuar në nenin 44 (paragrafi 1) të Ligjit nr. 04/L-193 për Avokatinë, i cili përcakton autorizimin e Qeverisë përkitazi me këtë çështje, është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit, po ashtu ju bëjmë me dije se vendimet e Qeverisë nuk mund të shfuqizohen nga Ministri/ja”, ka thënë Salihu.
Ndryshe, kjo rregullore e pezulluar nga Qeveria është miratuar me datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës , për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë,26 Prill 2016.
Kjo përcakton se avokatët që kanë më pak se tri vjet përvojë pune nuk mund të angazhohen në rastet e krimeve të rënda. Kjo rregullore ishte nxjerrë si ekuivalencë me prokurorët dhe gjyqtarët të cilët pa i pasur tri vjet përvojë pune nuk mund të jenë pjesë e departamenteve të krimeve të rënda. /Arbresh.info/ Gita Lushi
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...