Petkoviq: Ramë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët

19:28 | 17 Dhjetor 2024
R J

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, është deklaruar për mediat pasi ka dalë nga takimi në Bruksel me kryenegocatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Ai ka thënë se në takimin trilateral është bërë një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur.

Bislimi jep detaje për arritjen e marrëveshjes për të pagjeturit

Ai theksoi se Beogradi ka insistuar që kjo çështje të trajtohet si një problem humanitar dhe jo politik

“Gjatë ditës patëm një takim bilateral me Lajçakun dhe ekipin e tij, ku nga ana ime ekspertët e Beogradit prezantuan të gjitha çështjet që ishin në rendin e ditës gjatë takimit të sotëm. Më pas pasoi edhe një takim treshe me kryenegociatorin e Prishtinës. Ajo që kemi arritur është hapi i fundit i nevojshëm lidhur me çështjen e personave të zhdukur, dhe tani është hequr pengesa e fundit për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur. Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët, i cili do të ofrojë mbështetje për grupin e punës që udhëhiqet, si edhe deri tani, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Kjo është ajo që për ne është e rëndësishme, për të cilën Beogradi ka insistuar gjatë gjithë kohës. Duhet të theksoj se, po të mos ishin përpjekjet tona, nuk do të arrihej kjo marrëveshje, por ne gjithmonë kemi theksuar se për ne çështja e personave të zhdukur nuk është politike, por një çështje thjesht humanitare, që duhet domosdoshmërisht të zgjidhet,” tha Petkoviq.

Kryenegociatori serb, gjithashtu tha se Beogradi ka kërkuar me këmbëngulje formimin e Asociacionit të Komunave Serbe “si një hap kyç për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë”, raporton euronews.rs.

Të ngjashme