Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.
Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë së Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.
Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.
Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.
Në komunikatën e kësaj zyre thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.
Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.
Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”
Kurti tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit./REL
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...