Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do bisedime” e as “kompromis” me Serbinë.
Petkoviq i bëri komentet pak ditë pas rundit të fundit të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në këtë rund, të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por nuk u arrit ndonjë pajtim.
“Kurti nuk e do Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe; Kurti është ai që nuk ka dashur të bisedojë për shtensionimin [e situatës në veri të Kosovës]. Vuçiq, qartazi, ka treguar se është i gatshëm për zgjidhje kompromisi, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur serbët në Kosovë”, tha Petkoviq.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se në çfarë kushtesh të pamundura po negociojmë”, shtoi ai.
Sipas tij, Kurti “nuk do zgjedhje, nuk do marrëveshje, nuk do asgjë”…
“Për ne, dialogu dhe kompromisi nuk janë fjalë të këqija, por një rrugë për të shkuar në drejtim të shtensionimit, për të siguruar paqen në rajonin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Petkoviq.
Rundi i fundit i dialogut u zhvillua më 14 shtator, derisa situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – mbetet e tensionuar, prej se kryetarët shqiptarë morën pushtetin lokal, në fund të majit.
Si mundësi për uljen e tensioneve, BE-ja ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale – për të cilën gjë Prishtina është zotuar se po punon.
Duke folur të hënën në një konferencë për media, Kurti tha se emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në rundin e fundit të bisedimeve.
Sipas tij, dukej se kishte një koordinim mes Lajçakut dhe Vuçiqit për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e Marrëveshjes [bazë] zbatohet”.
Petkoviq tha se “Kurti po shpik”.
Çfarë ndodhi gjatë bisedimeve të 14 shtatorit?
Pas përfundimit të bisedimeve të enjten, ndërmjetësuesit evropianë thanë se Kurti nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me Lajçakun ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Borrell tha se u ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja bazë të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.
E arritur në shkurt, kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Kurti, pas përfundimit të bisedimeve, tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë në lidhje me ndikimet që do t’i kishte një asociacion i tillë në funksionalitetin e shtetit./rel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...