Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se autoritetet në Serbi nuk janë duke kërkuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, “që të qëndrojnë në anën serbe”.
“Ne vetëm kërkojmë që ata të jenë objektivë, të jenë neutralë”, ka thënë Petkoviq në një konferencë për media në Beograd, në të cilën është diskutuar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Atë ditë, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur, dhe për pasojë ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Pasi janë zënë në pritë të patrullës policore, sulmuesit janë strehuar në një manastir të fshatit, nga ku kanë vazhduar konfrontimin me policinë.
Tre prej sulmuesve janë vrarë.
Petkoviq ka thënë të hënën se ende nuk ka marrë përgjigje nga EULEX-i lidhur me detajet e autopsisë së tre shtetasve serbë.
“Çështja e autopsisë është vendimtare”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka vlerësuar se EULEX-i “ka refuzuar” për të marrë pjesë në hetimet e Policisë së Kosovës në teren.
Petkoviq e ka akuzuar Policinë e Kosovës për fshehje të provave se si sulmuesit serbë janë vrarë në Banjskë.
Më 28 shtator, EULEX-i i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar të marrë pjesë në aksionin e Policisë së Kosovës.
“EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë ky mision i bllokut evropian.
Beogradi zyrtar ka kërkuar nga EULEX-i që të përfshihet në hetime, pas sulmit.
EULEX-i nuk i ka dhënë hollësi Radios Evropa e Lirë nëse e ka pranuar zyrtarisht këtë kërkesë prej Serbisë, mirëpo ka thënë se nuk ka “mandat ekzekutiv për të kryer hetime”.
“Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”.
Ndërkohë, Policia e Kosovës është duke i vazhduar hetimet në veri të Kosovës, një javë pas konfliktit.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të dielën se Kosova ka mbledhur të dhëna që vërtetojnë se Serbia ka tentuar ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit janë përgatitur për kohë të gjatë në bazat ushtarake në Serbi.
Në një konferencë për media, ai ka thënë që më shumë se 90 persona kanë marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
Ai e ka përmendur edhe gjetjen e një sasie të madhe armësh në Banjskë.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiciq e ka marrë përgjegjësinë për organizmin e sulmeve në këtë fshat në veri të Kosovës./rel
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...