Google ADS

Peticioni për gratë e dhunuara u injorua nga Ban Ki Moon, Tahiri tregon çka ndodhi me të

21:21 | 9 Qershor 2018
Arbresh.info

Në korrik të 2014-tës, me iniciativë të drejtueses së bordit “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftë së fundit në Kosovë”, Edita Tahiri, u mblodhën mbi 115 mijë nënshkrime, përmes së cilave kërkohej drejtësi për gratë e dhunuara.

Përmes këtij peticioni, synohej që sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon të bëjë një raport për çështjen e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, siç kishte ndodhur me disa vende të tjera, shkruan Indeksonline.

Tani kur janë bërë pothuajse katër vite nga mbledhja e nënshkrimeve, Edita Tahiri tregon se çka ndodhi me peticionin.

Ajo në një prononcim për Indeksonline ka thënë se peticioni i qytetarëve të Republikës së Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë ka prodhuar efekte kombëtare dhe ndërkombëtare në kuptimin e vetëdijesimit dhe pranimit që ka ndodhur edhe ky lloj i gjenocidit serb në Kosovë.

“Në planin kombëtar, ky peticion ka thyer tabutë e mospranimit të kësaj tragjedie, që është refuzuar kryesisht për arsye të mentalitetit dhe të prekjes së nderit kombëtar. Po ashtu, ky peticion ka ndikuar që të rritet kujdesi institucional për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, kështu që përveç mbrojtjes ligjore ka filluar edhe procesi i identifikimit zyrtar të viktimave dhe mbrojtja dhe një siguri minimale financiare për to”, ka theksuar Tahiri.

Kurse, në planin ndërkombëtar, sipas saj, fal angazhimit të Bordit të Grave për peticionin dhe të saj si kryetare e Bordit, u janë drejtuar me letra Sekretarit të

Përgjithshëm të OKB, në fillim Ban Ki Moon-it, dhe sivjet Guterres, nga të cilët kanë kërkuar pranimin e këtij peticioni, përfshirjen e rastit të Kosovës në raportet vjetore të Sekretarit Gjeneral të OKB për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftërave në botë.

Po ashtu, Tahiri tha se kanë kërkuar që OKB për përgatis një raport të veçantë për Kosovën për çështjen e grave të dhunuara në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, që do ti hapte rrugë krijimit të mekanizmave për drejtësi ndërkombëtare dhe dënimin e kriminelëve të forcave okupatore serbe.

“Edhe pse deri më tash, OKB dhe Sekretari gjeneral nuk janë përgjigjur në kërkesat tona, ndërkohë në përgjigjen e tyre në letrat tona kanë thënë që ky peticion të dorëzohet te UNMIK-u në Kosovë, ne do të vazhdojmë angazhimet derisa të realizohen qëllimet tona. Është për tu habitur pse Kosova nuk përfshihet në raportet vjetore të Sekretarit gjeneral të OKB-së, që realizohen tash tetë vite si rrjedhojë e Rezolutave të KS të OKB-së, madje as Kroacia nuk përmendet, pos Bosnja që përmendet sipërfaqësisht”, ka shtuar Tahiri.

Sipas saj, ka një perceptim të pranuar gjerësisht nga opinioni i analistëve se dhunimi i grave gjatë luftërave po mbahet si “gjenocid i fshehur”, ndërkohë që po vazhdon fushata anë e këndë botës që ky gjenocid ndaj grave të pranohet dhe masat e drejtësisë të vihen në vend.

“Ne kemi vazhduar dhe vazhdojmë përpjekjet diplomatike për arritjen e drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara të Kosovës, duke lobizuar dhe avokuar. Si rezultate të shënuara janë, që Presidenti i Kosovës në mbledhjen e KS të OKB për Kosovën në vitin 2016 në fjalimin e tij ka ngritur këtë çështje, pastaj në takimin vjetor sivjet në mars, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së disa shtete si Gjermani, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Kroacia, kanë ngritur çështjen e drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara të Kosovës, që ka ndodh për herë të parë që nga përpjekjet tona që kanë filluar më korrik 2014 kur është realizuar ky peticion”, ka thënë tutje Tahiri.

Për ta rritur vetëdijesimin dhe presionin diplomatik për këtë çështje, në mars të këtij viti, Tahiri bëri të ditur se Lobi i Grave të Rajonit (rëlsee.org) i është drejtuar OKB/Sekretarit Gjeneral me një letër për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë në tre luftëra, Kosovë, Kroaci dhe Bosnje, me qëllim që të nxisin ndërgjegjen dhe angazhimin e OKB-së për të mos injoruar më tej këtë lloj krimi kundër njerëzimit që ka ndodhur në luftërat e fundit në Ballkan.

“Në maj 2018, gjatë pjesëmarrjes time në takimin e OKB/UNWomen të grave eksperte nga bota për procese paqësore dhe negociata, kam diskutuar këtë çështje duke bërë me dije se edhe pas 20 vitesh të përfundimit të luftës, çështja e grave të dhunuara në Kosovë dhe Ballkan ka mbetur e injoruar nga OKB, gjë që krijoi një jehonë dhe solidaritetet nga pjesëmarrëset e takimit që u mbajt në selinë e OKB-së në New York. Jemi të vetëdijshëm se ky rrugëtim për drejtësi nuk do të jetë i lehtë, por nuk do të heqim dorë derisa drejtësia nuk vihet në vend dhe kriminelët marrin ndëshkimin e merituar”, ka përfunduar Tahiri.

Kujtojmë se në peticion kanë hedhur nënshkrimet e tyre 115 mijë e 759 persona.

Sipas organizatave ndërkombëtare në Kosovë gjatë kohës së luftës janë evidentuar rreth 20 mijë gra të dhunuara, të cilat në shumë raste hezitojnë të identifikohen për shkak të traditës refuzuese të shoqërisë sonë. /Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme