Peticione, lutje e kërkesa| Si të përshpejtohet liberalizimi i vizave?

08:00 | 1 Qershor 2022
arbresh.info

Liberalizmi i vizave është një sfidë në vetvete për qytetarët e Kosovës, e kjo nuk pritet të ndodh shpejt, sepse shikuar kronologjikisht shtetet vendimtare që duhet të vendosin për këtë proces delikat për Kosovën janë të përçara rreth Kosovës.

Publicisti Musa Sabedini, thotë për arbresh.info se asnjë peticion, asnjë lutje apo kërkesë që lidhet me liberalizim të vizave nuk mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi.

“Asnjë peticion, asnjë lutje apo kërkesë që lidhet me liberalizimin e vizave nuk mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi, e realisht kjo mundet me tërheq vëmendje në publikun ndërkombëtar por nuk është as e mjaftueshme e as vendimtare”, tha ai.

Sabedini shton se ndërkombëtarët nuk po tregojnë shenja se liberalizimi i vizave do të ndodh shpejt, e sipas tij,  krejt Evropa është në Kosovë e ndërsa kosovarët nuk mund të shkojnë, ecin apo edhe punojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne krejt Evropën e kemi në Kosovë, kurse kosovarët nuk mund të shkojnë, ecin apo punojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Ky është një turp i ndërkombëtarëve sepse ata nuk po tregojnë shenja se liberalizimi do të ndodhë shpejt”, vlerëson Sabedini.

E sipas hulumtuesit, Abit Hoxha, përshpejtimin e liberalizmit të vizave mund ta bëjë vetëm vendimi i qeverive anëtare të Bashkimit Evropian.

“Përshpejtimin e liberalizimit të vizave mund ta përshpejtoj vetëm vendimi i Qeverive të shteteve anëtare të EU. Në shumicën e institucioneve të tashmë kanë idenë që Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim, por vendimi mbetet në Këshillin e Ministrave”, tha ai.

Por, sipas publicistit Sabedini politikanë dhe qeveritarët e Kosovës janë duke i mashtruar popullin me liberalizim të vizave duke shtuar se kjo për kosovarët është ushqim dhe infuzion.

“Mos i dëgjoni politikanët apo qeveritarët e Kosovës kur gënjejnë rreth liberalizimit, ata këtë e kanë ushqim dhe infuzion për popullin, por realiteti është krejt ndryshe. Liberalizimi mund të ndodhë kur shtetet vendimmarrëse të BE-së e shohin ndonjë rrezik nga kosovarët, p.sh ndonjë përshkallëzim ekstrem i konflikteve në rajon dhe nëse kosovarët bëhen të fuqishëm ekonomikisht”, deklaron ai.

Rikujtojmë se, Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, të premten ka nisur një peticion online për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme