Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëri të ditur pse lideri i asaj partie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur për konsultime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Më 31 korrik, Osmani ka zhvilluar një takim me partitë parlamentare. Presidentja e Kosovës, më pas, në konferencën për media tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së tij dhe sugjeroi që gazetarët ta pyesin vetë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit të kryeministrit Kurti me pyetjen se pse nuk ka shkuar në takim me Vjosa Osmanin dhe si kanë qenë marrëdhëniet e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, Kurti në rrjetet sociale ka shpërndarë informacione se më 31 korrik ka drekuar me disa ambasadorë me ftesë të shefit në largim të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Analisti politik, Visar Ymeri, vlerëson se Kurti dëshiron të paraqitet në publik si figura më e rëndësishme politike dhe për këtë nuk iu përgjigj takimit të thirrur nga presidentja Osmani.
Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, thekson se kjo nuk është hera e parë që ka pasur “mosmarrëveshje” ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, por lëvizja e fundit e liderit të Vetëvendosjes tregon për një “krisje” tjetër në marrëdhënien e tyre.
Një marrëdhënie e tillë, thotë ajo, mund të shkaktojë edhe destabilitet politik.
Çfarë ndikon në marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit?
Në një prononcim Visar Ymeri tregon se mosmarrëveshjet ndërmjet Kurtit dhe Osmanit janë evidente dhe se një nga arsyet për një gjë të tillë është edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i është përmbajtur Vetëvendosjes.
Gërvalla vjen nga radhët e partisë Guxo, e cila u themelua nga Vjosa Osmani, pasi ajo u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2020 për shkak se nuk e mbështeti rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit.
Osmani atëherë ishte kandidate për presidente të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori mbi 300 mijë vota nga qytetarët. Në prill të po atij viti, ajo u zgjodh presidente falë votave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, Visar Ymeri thekson se marrëdhëniet e “acaruara” mes Kurtit dhe Osmanit janë ndikuar edhe nga raporti me vendet perëndimore.
Përkatësisht, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti shpeshherë është nën kritika nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të vendimeve që merr, të cilat prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb dhe për shkak të refuzimit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në situata të tilla, Osmani thekson se për të gjitha vendimet është i domosdoshëm koordinimi me partnerët nga vendet perëndimore.
Diplomati amerikan, Gabriel Escobar, i cili deri vonë ishte edhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në mars të këtij viti se ka “zhgënjime të mëdha me Qeverinë e Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington por edhe në Bruksel, Romë, Berlin dhe Paris”.
Ai tha se në Kosovë ka ende institucione që i kuptojnë qartë marrëdhëniet me Evropën dhe SHBA-në. “E kam fjalën konkretisht për presidenten [e Kosovës, Vjosa Osmani]”, tha Escobar.
“Përçarja në marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit mund të ketë pasoja”
Në një prononcim Mexhide Demolli thekson rëndësinë e takimit të thirrur nga presidentja e Kosovës për përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe shton se vendimi i Kurtit për të mos u paraqitur në të tregon për një përçarje të mundshme në marrëdhëniet e tyre.
“Kjo përçarje mund të ketë implikime të rëndësishme për stabilitetin politik dhe qeverisjen”, thotë Demolli.
Ajo, po ashtu, tregon se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe vendimmarrja e përbashkët nga Qeveria dhe Presidenca në shumë fusha, është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës.
“Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve mes presidentes dhe kryeministrit, besoj dhe shpresoj se ato do të zgjidhen duke arritur një konsensus të gjerë politik për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, thotë Demolli.
Partitë opozitare kanë kohë që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, por nuk kanë arritur marrëveshje se kur duhet të mbahen. Visar Ymeri beson se Lëvizja Vetëvendosje do t’i shtyjë zgjedhjet për aq kohë sa të jetë e mundur “sepse ka frikë nga efektet e rezultateve zgjedhore”.
“Them kështu, [ekziston] një lloj momenti vetëdijësues i qytetarëve për mospunën e Qeverisë dhe ky moment vetëdijësues shfaqet më së shumti në dështimet ekonomike dhe sociale, efektin më brutal dhe më të egër të të cilëve e ndiejmë gjatë muajve të dimrit, posaçërisht gjatë festave të fundivitit”, thotë ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me partitë parlamentare më 31 korrik, ka deklaruar se është rënë dakord që të analizohen të gjitha datat dhe elementet relevante për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Osmani ka thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura janë 26 janari ose 2, 9 dhe 16 shkurti.
Viti i ardhshëm 2025 është vit i rregullt zgjedhor në Kosovë dhe nëse partitë politike bien dakord që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Kurti do të jetë e para që do të përmbushë mandatin katërvjeçar që nga shpallja e pavarësisë.
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...