“Pesëshi”/ Konfiskohen mbi 40 paketime me substanca narkotike, 2790 euro dhe armë zjarri – arrestohen dy persona

10:11 | 29 Gusht 2024
E.H

Policia e Kosovës njofton se të mërkurën ka realizuar një operacion policorë të koduar “pesëshi”, në Prishtinë pasi që kanë pranuar informacion për dy persona që në bashkëveprim dyshohet se janë marrë me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’ të llojit kokainë.

Siç thuhet në njoftim, policia fillimisht ka ndaluar një veturë me targa vendore në Prishtinë të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar,

“Gjatë kontrollit të tij, në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin njësia policore ka vazhduar në një lokacion tjetër ku aty ka ardhur edhe i dyshuari i dytë mashkull kosovar i cili në momentin që kishte vërejtur policinë ka tentuar të ikte por pas ndjekjes së tij i njëjti është ndaluar dhe arrestuar.

“Gjatë kontrollimit të banesës që të dyshuarit dyshohet se e kanë shfrytëzuar janë gjetur: Një armë zjarri, Një karikator, 15 – fishekë, 2 – peshore digjitale që shërbejnë për matje në sasi të vogla”, thuhet tutje në njoftim.

Në vazhdën e operacionit është bërë po ashtu kontrollimi i një garazhe dhe gjatë kontrollit të saj aty ndodhej një veturë me targa vendore pronë e njërit nga të dyshuarit, ku në pjesën e brendshme të saj janë gjetur edhe 23-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë e gatshme për shitje me peshë 133 gram.

“Në lidhje me operacionin e zhvilluar në vend të ngjarjes ka dalë forenzika e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjithave dëshmive të gjetura si prova material, ndërsa personat e dyshuar janë shoqëruar për inicim të rastit dhe në konsultim me prokurorin kompetent, me urdhër të tij të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë”, thuhet në fund të njoftimit./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme