Gjykata Speciale pas më shumë se pesë viteve të krijimit të saj ka nisur punën duke i bërë publik edhe aktakuzat.
Nga kjo gjykatë deri më tani janë konfirmuar pesë akuza për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Arbresh.info.
Me 24 shtator ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Sali Mustafa, është arrestuar.
Edhe Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë konfirmuar aktakuzën ndaj ish-eprorit të UÇK-së. Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett ka konfirmuar arrestimin e Mustafës si dhe konfirmimin e aktakuzës.
Bennett ka thënë se ai po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.
Një ditë pas me 25 shtator njësitë speciale të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, arrestuan pasdite Hysni Gucatin, kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtin ditë me 25 shtator, Nasim Haradinaj është arrestuar nga zyrtarët e Gjykatës Speciale gjatë arrestimit ai ka thënë se nuk shkon me zyrtarët e tyre, dhe vetëm me Policët e Kosovës.
Ai u arrestuar pas plaçkitjes që zyrtarët Speciales kishin bërë në zyrën e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, shkruan Arbresh.info.
Nasim Haradinaj është nënkryetari i OVL UÇK-së, ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Akuzat që rëndojnë mbi të nga Gjykata Speciale janë për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë.
“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Nasim Haradinajt para gjykatësit do të njoftohet më vonë”, thuhet në njoftim nga Gjykata Speciale.
Këta tre ish-pjesëtarë të UÇK-së, ka mbajtur më shumë se tri seanca gjyqësore në Hagë para prokuronit të procedurës paraprake, shkruan Arbresh.info.
Me 4 nëntor nga Gjykata Speciale u konfirmuan edhe dy akuza të reja për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe transferimin e tij në objektet e paraburgimit në Hagë.
“Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë pas rreth dhjetë orësh të qëndrimit të pjesëtarëve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e tij në Prishtinë.
Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka bërë të ditur se Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit i cili është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuar është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit.
“Është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet shumë shpejtë të caktohet seanca”, ka deklaruar avokati Hasani.
Hasani deklaroi se veprat për të cilat dyshohet Krasniqi, nuk janë të specifikuara, por janë në kuadër të veprave të cilat bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Dardan Krasniqi, familjar i Jakup Krasniqit, tha se po ashtu është bastisur edhe shtëpia e Krasniqit në Negroc.
Një akuzë po të njëjtën ditë me të Krasniqit u konfirmua edhe për Rexhpe Selimim.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi sot(05.11.2020) do të udhëtojë drejt Hagës, pasi që mbrëmë i’u është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.
Konfirmimin e aktakuzës e bëri të ditur vet Selimi nëpërmjet një postimi në profilin e tij Facebook.
Derisa ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës ai Thekson se në Hagë do të udhëtoj me kokën lart dhe kurdo që kthehet do të kthehet po ashtu me kokën lartë.
“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombas të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, ka shkruar Selimi.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga prokuroria Speciale që nga fillimi i vitit 2019.
Gjykata Speciale ka selinë e saj në Hagë dhe i tërë stafi i saj është ndërkombëtar, ndonëse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës. Arsyeja se pse kjo gjykatë gjendet në Hagë, është pikërisht fakti që nëse ishte vendosur në Kosovë sipas zyrtarëve ndërkombëtar “mund të kishte frikësim të dëshmitarëve”, thuhej në vitin 2016 në një komunikatë për medie të qeverisë së Holandës. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare, ku kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. /Arbresh.info/
Gola me bollëk pas pjesës së parë në ndeshjet e Ligës së Kam...
Banorët e Fushë Kosovës nesër do mbesin pa furnizim me ujë t...
Kurti nesër merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës ...
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor