Google ADS

Përzgjedhja e mjekut familjar – 1 mjek do të ketë deri 2 mijë pacientë

13:03 | 6 Tetor 2024
E.H

Qytetarët e Prizrenit, Lipjanit, Istogut dhe të lagjeve “Ulpianë” e “Bregu i Diellit” në Prishtinë tanimë mund të zgjedhin mjekun e tyre familjar përmes platformës e-Kosova.

Sipas njoftimeve nga Ministria e Shëndetësisë përzgjedhja e mjekut familjar bëhet përmes platformës eKosova, e cila ka filluar që nga data 9 janar.

Rreth informimit të qytetarëve për këtë temë ka folur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë, Bujar Gashi.

Gashi tha se ky projekt, është dashur të ndodhë më herët, mirëpo tani veçse janë plotësuar kushtet.

“Është projekt që është dashtë me ndodhë më herët sigurisht, mirëpo tani veçse janë plotësu kushtet, është një projekte që është në bashkëpunim niveli qendror përkatësisht Ministria e Shëndetësisë dhe niveli lokal, Drejtoria e Shëndetësisë të komunave përkatëse QKMF-të, në nivel vendi, këtij projekti i ka parapri një pilot projekt muaj më parë që ishte realizu në katër komuna, duke e përfshi edhe komunën e Prishtinës, në dy qendrat e mjekësisë familjare” thotë Gashi

Tutje ai tha që është marrë vendimi për numrin e përcaktuar të një mjeku, sipas atyre vendimeve 2 mijë qytetarë do të përcaktohen për një mjekë.

“Sipas ligjit në fuqi dhe vendimit i cili është marrë për vendimin e këtij projekti fillimisht është përcaktu se një mjekë familjar do t’i ketë 2 mijë banorë, që nënkupton se emrat e mjekëve që janë në eKosova do ti kenë 2 mijë numra ku do të lejohet regjistrimi i qytetarëve, në momentin që ky numër arrin në numrin dy mijë, emri i mjekut do të largohet nga eKosova, dhe do të vazhdojnë emrat e mjekëve tjerë”, theksoi ai.

Po ashtu pohoi se lejohet mos pranimi i pacientëve nga mjekët kur arsyetimet janë të nivelit të duhur.

“Në bashkëpunim me drejtorin e QKMF-së, për arsyeje të ndryshme kur arsyetimet janë të nivelit të duhur, atëherë edhe do të mendohet ndërrimi i mjekut apo mos pranimi i pacientit, mirëpo konfirmimin e listës, në fund do ta miratoj drejtori i QKMF-së në secilën komunë të Kosovës”, u shpreh ai.

E krejt në fund ai na tregoi se ndryshimi i mjekut familjarë lejohet vetëm një herë brenda vitit.

“Ka procedura për ndryshimin e mjekut familjarë, ndryshimi i mjekut lejohet vetëm një herë brenda vitit, duke e arsyetuar sepse edhe atë e miraton drejtori i QKMF-së, sepse janë procedura që marrin shumë kohë, nëse qytetarët ndërrojnë shumë shpesh mjekun do të ketë një ngarkesë të madhe.”

Ndërsa në raste të ndryshimit të vendbanimit të qytetarëve, nga platforma eKosova për Arbresh.info thonë se caktimi i mjekut familjar duhet të bëhet duke klikuar tek shërbimi “kërkesa për ndryshimin e mjekut familjar”, në momentin që klikoni tek shërbimi, ju shfaqet lista e QMKF-ve dhe mjekëve në bazë të vendbanimit tuaj të deklaruar në sistemin e gjendjes civile”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Siç u njoftua projekti i përzgjedhjes së mjekut familjar do të zgjasë 100 ditë, dhe pritet të mbaroj në fund të vitit 2025./Arbresh.info/Qëndresa Luma/

Të ngjashme