Përvjetori i bombardimit të Serbisë, Nazarko: Albin Kurti duhet ta nderonte NATO-n sot

18:35 | 24 Mars 2021
A. B.

Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, deklaroi se Albin Kurti sot duhet që të nderonte Aleancën Euro-Atlantike.

Nazarko thekson se gafa më e madhe e Kurtit, mbetet fakti se e quajti marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në Uashington, me ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, një “bufe suedeze”.

“Emrat e qeverisë së Kosovës janë serioze. Kurti është i rrethuar nga personalitete të rëndësishme, që kanë integritetet e tyre. Prsh zonja Gërvalla ka treguar pavarësi mendimi, qëndrime të forta, madje edhe kundër Kurtit, sepse është e linjës rugoviste. Edhe figura e ministrit të Mbrojtjes ishte interesant. Kurti ka shkuar edhe tek varri i Rugovës, edhe tek i Demaçit, dy figura që janë luftuar me njëri-tjetrin.

Kurti ka rishikuar veten dhe ka e ka parë Rugovën si president historik, është korrektuar. Albin Kurti duhet të nderonte sot NATO-n. Në “Facebookun” e tij, Kurti s’ka nderim ndaj NATO-s. Marrëveshjen në Uashington me Donald Trump e quante bufe suedeze, por ajo ishte marrëveshja më e mirë e mundshme”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko vlerëson se Rama, me anë të vizitave të tij në Francë dhe në Turqi, po tenton që të tregojë se ka mbështetje ndërkombëtare.

“Rama po përpiqet që të tregojë se ka mbështetjen perëndimore, në vazhdimin e një mandati të tretë. Rama ka zgjedhur të bisedojë me atë që ka penguar më shumë integrimin e Shqipërisë. Rama është i fokusuar edhe tek vaksina, për të injektuar në publik sigurinë që kanë këta vaksina. Lufta ndaj vaksinave mendoj se ka frymëzim komercial. Shqipëria ka siguruar vaksina nga vende të ndryshme dhe po përpiqemi të arrijmë shifër të mirë të të vaksinuarve. Gjithë aktivizimi i Ramës ka edhe impakt elektoral”, u shpreh Nazarko.

Në fund, Nazarko u shpreh se Basha ka bërë mirë që ka botuar librin e tij “Misioni im”, duke shtuar se lista e tij e kandidatëve për deputetë duhet të ishte më e guximshme.

“Është përpjekje e mirë dhe e vonuar, që Basha ka nevojë të na tregojë më shumë. Strategjistët e Bashës po e mbushin fushatën e tij me elementë të paparë më herët. Basha ka pasur deficite në komunikimin publik e këta përpiqet që t’i përmbushë me anë të një libri. Ka edhe gazetarë që thonë se Basha nuk ka shkuar deri aty sa të vrasë të atin politik. Përballja me trashëgiminë e paraardhësit është problem i madh i tij. Basha duhet të kishte distancim me paraardhësin. Lista e tij mund të ishte më e guximshme. Basha nuk ka arritur të bindë për ato gjëra që ka bërë, kur ishte në pushtet”, përmbylli Nazarko./Ballkanweb

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme