Koalicioni ndërkombëtar ushtarak, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar zyrtarisht për sulmet e saj ajrore ndaj luftëtarëve të huaj nga Evropa Juglindore të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), të cilët vepronin në Siri si rekrutues, ndihmës dhe planifikues të sulmeve për ISIS’in, dhe të cilët ishin përgjegjës për krime të shumta në Siri.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka konfirmuar se Lavdrim Muhaxheri është vrarë nga një sulm ajror i koalicionit më 7 qershor, afër Majadinit, në Siri.
Muhaxheri ishte shqiptar, shtetas i Kosovës, nga Kaçaniku, dhe i vetëshpallur udhëheqës i luftëtarëve të huaj të ISIS’it nga Kosova.
Ai konsiderohej si luftëtari më i njohur dhe më radikal shqiptar në Siri, dhe ishte drejtpërdrejt përgjegjës për nxitjen e ideologjisë xhihadiste brenda komuniteteve evropiane, dhe për inkurajimin e luftëtarëve të huaj që të udhëtonin drejt territoreve të kontrolluara nga ISIS’i, kanë thënë zyrtarët amerikanë.
Ai po ashtu ka qenë përgjegjës për planifikimin e disa sulmeve terroriste, përfshirë planin e dështuar për të sulmuar me bombë ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit më 2016, në Shqipëri, kanë shtuar ata.
SHBA’ja ka konfirmuar edhe vrasjen e katër shokëve të Muhaxherit në ISIS, të gjithë shqiptarë.
Jetmir Ismaili, planifikues i sulmeve të jashtme terroriste të ISIS’it, është vrarë nga një sulm ajror i koalicionit në Raka të Sirisë, në fund të qershorit të sivjetmë. Ismaili kishte lidhje të afërta me planifikuesit e sulmeve të jashtme terroriste të ISIS’it në Evropë dhe në Siri, dhe kishte planifikuar dhe koordinuar personalisht sulmet e jashtme terroriste të ISIS’it, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Razim Kastrati, një koordinator i sulmeve të jashtme terroriste të ISIS’it, është vrarë bashkë me pesë luftëtarë të tjerë të ISIS’it nga një sulm ajror i koalicionit, më 16 qershor, afër Majadinit, në Siri. Kastrati merrej me transportimin dhe trajnimin e luftëtarëve të huaj nga Evropa Juglindore, dhe ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve të jashtme.
Irfan Haqifi, po ashtu shqiptar dhe zëvendës i Muhaxherit, është vrarë nga një sulm ajror i koalicionit më 7 qershor, afër Kajirës, në Siri. Haqifi ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve terroriste jashtë Sirisë, dhe ishte po ashtu përgjegjës për rekrutimin e luftëtarëve të ISIS’it nga Evropa Juglindore, dhe për transportimin e tyre nëpër Siri, kanë thënë zyrtarët amerikanë, transmeton Gazeta Express.
Orhan Ramadani është vrarë nga një sulm ajror i koalicionit më 21 maj, afër Majadinit, në Siri. Ai ishte përgjegjës për planifikimin e vazhdueshëm të sulmeve të jashtme terroriste nga Siria.
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë