Përurohet Rezonanca Magnetike në Spitalin Regjional të Prizrenit, merr pjesë edhe Kurti

17:43 | 14 Shkurt 2024
E.K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrija Emilija Rexhepi dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë në përurimin e Rezonancës Magnetike (MRI) në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Atje u prit nga drejtorja e Spitalit, Dr. Narqiza Arenliu dhe stafi i spitalit.

Pas Spitalit Rajonal të Pejës dhe në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, Spitali Rajonal i Prizrenit bëhet institucioni i tretë shëndetësor që pajiset me aparaturë të Rezonancës Magnetike brenda një periudhe njëvjeçare.

Projekti i përuruar sot kap vlerën 908,653 euro. Investime si kjo, për qëllim kanë rritjen e shërbimeve cilësore dhe decentralizimin e shërbimeve. Si rezultat, nga ky shërbim i tij përveç qytetarëve të rajonit të Prizrenit, që përfshinë banorët e Komunës së Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Mamushës e Dragashit, do të përfitojnë edhe qytetarët e Gjakovës e madje edhe shtetas të Shqipërisë nga Qarkut i Kukësit.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj personelit shëndetësor, teksa i falënderoi për angazhimin, punën, kontributin e palodhshëm për shëndetësinë. Në veçanti falënderoi radiologen, Dr. Arta Zhuri Dula, e cila do të përkujdeset që gjithçka të shkojë mbarë e mirë me këtë pajisje të re dhe praktikisht të mos kemi më lista të pritjes, që ka qenë në të kaluarën një prej ankesave kryesore të qytetarëve.

Me rastin e përurimit në Prizren, të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha dhe Drejtori i ShSKUK-së, Dr. Elvir Azizi.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu në Prizren, për të bërë një përurim tejet të rëndësishëm për shëndetësinë në vendin tonë.

Përveç se po angazhohemi për rritjen e shërbimeve cilësore, në të njejtën kohë ne angazhohemi edhe për decentralizimin e kësaj cilësie, ashtu që të mos jenë investime të përqendruara vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, por edhe gjithandej komunave të Kosovës, ku është popullsia e Republikës tonë.

Më herët rezonancën magnetike e kemi përuruar në Spitalin Rajonal të Pejës, gjithashtu edhe në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, në QKUK atje e sot, këtë e bëmë këtu në Prizren, një spital rajonal, i cili mbulon një popullsi prej rreth 400 mijë banorëve.

Rezonanca magnetike që u përurua sot, ka kushtuar afër 909 mijë euro, prej të cilave 785 mijë euro është vetë pajisja, 1.5 Tesla dhe trajtimi zgjat prej 15 deri në 18 minuta.

Ndërkaq, pjesa tjetër, pra nga 124 mijë euro përafërsisht ka qenë rregullimi i infrastrukturës përcjellëse, përfshirë këtu Kafazin e Faradeit, i cili ndodhet në muret e kësaj rezonance magnetike, që do të shërbejë përveç Komunës së Prizrenit, edhe qytetarët e Komunës së Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Mamushës, Dragashit, por, siç e dini ju edhe të Gjakovës, e qe besa edhe të Qarkut të Kukësit.

Andaj, urime e përgëzime të gjithë qytetarëve dhe personelit këtu shëndetësor, të cilët i falënderoj për angazhimin, punën që po bëjnë, kontributin e palodhshëm për shëndetësinë kosovare, e njëkohësisht tash nuk do ta kemi vetëm mjekun e infermierin pranë, por aty do të jetë edhe diagnostikimi i hershëm, i cili e bënë shërimin më të shpejtë dhe parandalon fatalitetin.

Me mua është zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, drejtorja e Spitalit, doktoresha Narqiza Arenliu, është zëvendësministri Arsim Berisha, por është edhe shefi i ShSKUK-së, doktori Elvir Azizi. Dhe, në veçanti e falënderoj radiologen, doktoreshën Arta Zhuri Dula, e cila do të përkujdeset që gjithçka të shkojë mbarë e mirë me këtë pajisje të re dhe praktikisht të mos kemi më lista të pritjes, që ka qenë në të kaluarën një prej ankesave kryesore të qytetarëve./Arbresh.info

Të ngjashme