Përurohet Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës, Kurti: Projekt përkatës që më në fund u realizua siç është më së miri e më së mbari

14:01 | 2 Prill 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku edhe me Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizin, bëri përurimin e Repartit të Pediatrisë.

Aty u mirëprit nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtores së Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Laura Nushi, së bashku me Drejtorin e Repartit të Pediatrisë, Qenan Çabra dhe stafi shëndetësor. Së bashku vizituan ambientet e reja të repartit.

Për funksionalizimin e tij janë shpenzuar rreth 1 milion euro, prej të cilave rreth gjysma e shumës është donacion nga shoqata “Nëna Terezë”, që operon në Gjermani me udhëheqës Shaqir Gashi dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit”, me udhëheqësin Halil Kastrati.

Nga investimi i përgjithshëm diku rreth gjysma e investimit është për infrastrukturë dhe inventar, ndërkaq gjysma tjetër përafërsisht është për pajisjet moderne mjekësore, shkruan Arbresh.info

Reparti ka 11 dhoma, dhomë për mjekim intensiv dhe 25 shtretër për hospitalizim. Reparti i vjetër kishte vetëm një dhomë me shtatë shtretër.

“Është kënaqësi dhe nder për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me ministrin tim të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, që te jemi sot këtu në Mitrovicë, me rastin e inaugurimit të Repartit të Pediatrisë i cili ka qenë i bllokuar që prej 8 vitesh me një projekt përkatës që më në fund u realizua siç është më së miri e më së mbari” tha kryeministri Kurti pas ceremonisë.

Ai tha shtoi se reparti do të ketë pajisje moderne mjekësore, të teknologjisë së fundit të cilat garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësitë më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë pacientëve.

Objekti i ri, krahas infrastrukturës së re, do të ofrojë edhe shërbime të reja që përfshijnë shërbimin radiologjik dhe atë të spirometrisë, si dhe me aparaturën moderne do të mund të realizojë të gjitha analizat e nevojshme laboratorike për pacientët e këtij reparti.

Ushtruesja e Detyrës së Drejtores së Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, u zotua që më funksionalizimin e pediatrisë si një zgjidhje e një nyje 8 vjeçare, fëmijët e Mitrovicës do të marrin shërbime shumë më cilësore me angazhim dhe përkushtim maksimal të personelit shëndetësor.

Kryeministri Kurti shoqërohej nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja dhe Arjeta Fejza.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Është kënaqësi dhe nder për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me ministrin tim të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, që te jemi sot këtu në Mitrovicë, me rastin e inaugurimit të Repartit të Pediatrisë i cili ka qenë i bllokuar që prej 8 vitesh me një projekt përkatës që më në fund u realizua siç është më së miri e më së mbari.

Unë e falënderoj shumë doktoreshën e Spitalit, Laura Nushi e cila është edhe shefe ekzekutive e Spitalit të Mitrovicës, si dhe drejtorin e këtij reparti doktor Qenan Çabrën, të cilët na mirëpritën dhe na i treguan këto ambiente me kushte të përshtatshme për punë, për mjekët dhe për infermierët, por gjithashtu edhe për shërimin e pacientëve meqenëse të gjitha pajisjet mjekësore janë të reja, tavanet janë të larta, ndriçimi është adekuat dhe ngjyrat e ambientit janë shumë të këndshme.

Investimi është rreth 1 milion euro, prej të cilave rreth gjysma vijnë nga shoqata” Nëna Terezë”, në Gjermani me ç’rast këtu e kemi edhe udhëheqësin Shaqir Gashin dhe “Jetimat e Ballkanit” me udhëheqësin Halil Kastratin.

Më herët ka pasur në këtë repart vetëm një dhomë me shtatë shtretër, e janë kryer diku rreth mbi një mijë hospitalizime brenda vitit dhe 37 mijë vizita ambulantore, ndërkaq tash do të jenë gjithsej 11 dhoma me 25 shtretër, njëra prej dhomave do të jetë edhe intensive.

Do të ketë pajisje moderne mjekësore, të teknologjisë së fundit të cilat natyrisht garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësitë më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë të gjithë pacientëve të cilët do t’ia kenë nevojën këtij reparti të ri.

Edhe një herë faleminderit shumë për këtë mikpritje, por gjithashtu edhe për punën që e keni bërë vazhdimisht ndër këto vite në kushte të vështira e që besoj se më në fund pas 8 vjetëve u shpërblye me këtë repart të ri në të cilin diku rreth gjysma e investimit është për infrastrukturë dhe inventar, ndërkaq gjysma tjetër përafërsisht është për pajisjet moderne mjekësore./Arbresh.info/

 

Të ngjashme