Google ADS

Përurohet renovimi i soliterave në Ulpianë

10:01 | 18 Tetor 2022
A Z

Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, vajza e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, ka marr pjesë në përurimin e renovimit të soliterave në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

MCC ka ndarë 11 milionë euro për kursimin e energjisë ku 1 mijë shtëpi janë izoluar tërësisht dhe mbi 20 banesa shumë katëshe në shtatë qytete të Kosovës.

Albright me këtë rast tha se MCC ka bashkëpunim me 40 shtet të botës dhe se me Kosovën bashkëpunimi ka filluar në vitin 2017 duke investuar 49 milionë euro.

“Prej vitit 2004, MCC në bashkëpunim me 42 shtete të botës ka investuar 15 miliardë dollarë për të shtyrë përpara rritjen ekonomike dhe për të zvogëluar varfërinë”.

“Gjithashtu MCC dhe Qeveria e Kosovës kanë punuar bashkërisht për të shtyrë përpara furnizimin me energji elektrike”.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se ShBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në kapërcimin e krizës energjetike.

“Qeveria amerikane është duke investuar në Kosovë për të zvogëluar këtë varësi që e ka nga thëngjilli dhe në afat të shkurtër është mënyra sesi mund të ndryshojë Kosova, prandaj na vjen mirë që jemi duke e ndihmuar për të rritur efiçencën”.

“Këtu e kemi një partneritet të fuqishëm ku 60 për qind është financuar nga MCC, 30 për qind nga komuna dhe 10 për qind nga vetë banorët përmes NPB-së”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ShBA-ja mbetet faktor kyç i bashkëpunimit në fushën e energjisë.

Sipas saj, në këtë kohë krize investimi në energji të pastër është tejet i nevojshëm.

“ShBA-ja kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë partnerët kyç në sektorin e energjisë, duke na ndihmuar në tranzicionin tonë energjetik, në burimet e ripërtritshme të energjisë por tani edhe në efiçencë”.

“Investime e tilla janë tejet të rëndësishme e posaçërisht në një kohë të tillë që po jetojmë, ku çmimet e energjisë janë kaq të larta dhe kursimi i energjisë është bërë kaq i rëndësishëm”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto ndërtesa kanë paraqitur rrezik për jetën e qytetarëve, prandaj investimi do të vazhdojë edh enë pjesë tjera të qytetit.

“Kemi një ditë me rëndësi të madhe, për një kohë të madhe këto ndërtesa kanë qenë në me një pamje të keqe dhe me rrezikshmëri për qytetarët”.

“Këtë mundësi mundemi me marrë si koncept dhe me vazhduar punën në pjesë të tjera të qytetit”.

Petrit Selimi, kryeshef i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), foli për projektin dhe investimet në këto ndërtesa dhe në gjithë Kosovën, raporton EO.

“Kur kemi filluar rregullimin e këtyre ndërtesave, këto ndërtesa kanë qenë në rrezikshmëri për jetën për qytetarët, pra nga këto ndërtesa kanë ra pjesë metalike duke rreziku jetën e qytetarëve”.

“Për disa javë do të përfundojnë gjitha punimet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme