Përurohet platforma online për komunitetet

18:16 | 8 Maj 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e platformës online për komunitetet, ku në mesin e pjesëmarrësve ishin prezent dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves dhe ambasadori i Zvicrës, Jurg Sprecher.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se krijimi i kanaleve të komunikimit ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve tanë nga komunitetet joshumicë, ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona, shkruan Arbresh.info.

”Nuk mjafton që të ndahen miliona euro posaçërisht për komunitetet joshumicë – 3 milionë euro vitin e kaluar, bashkë me 1 milionë shtesë të shpallura muajin e kaluar, nga Ministria për Komunitete dhe Kthim – për grante për fermerët, për biznese ekzistuese dhe të reja, ose për OJQ-të që punojnë në punësim. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë – qoftë në zonat rurale apo për ata të cilët nuk e kanë gjuhë amtare serbishten apo shqipen – të kenë informacion dhe të mund të aplikojnë për këto mundësi”, u shpreh ai.

Kryeministri përmendi dhe iniciativat e politikat shoqërore e ekonomike të ndërmarra edhe në veriun e vendit, si mekanizmat për verifikimin jo vetëm të diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut por edhe nga shkollat e mesme që mësojnë në gjuhën serbe, apo ofrimi i subvencioneve të veçanta për deri në 2000 vende pune, por edhe rëndësia e arritjes së kuotës prej 10% të punësimit në institucione qendrore për qytetarët nga komunitetet joshumicë. Rikujtoi dhe takimet e zhvilluara me komunitetet përgjatë këtyre tri viteve, të cilat kanë shërbyer në identifikimin e sfidave dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për tejkalimin e tyre.

Duke përmendur dhe buletinin i cili dërgohet në katër gjuhë, çdo dy javë, me mundësitë e ndryshme për aplikime për komunitetet për grante, subvencione, punësim, trajnime ose praktika, kryeministri Kurti theksoi se ngritja e kësaj platforme i shton dhe fuqizon kanalet e komunikimit dhe të informacionit./Arbresh.info/

Të ngjashme