Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar në Kosovë është hapur sot në Rashincë të Shtimes.
Në Shtime u mbajt ceremonia zyrtare e hapjes së Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar, ndërsa zyrtarisht për publikun do të hapet të enjten me 20 qershor.
E pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
“Jemi me fat që jetojmë në këtë kohë tani në kemi një platformë të re edukuese e që do të tërheq shumë vizitorë”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, u shpreh krenar për përfshirjen e komunës së tij në një projekt kaq të rëndësishëm.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe zyrtarë të kompanisë “Celestron” nga SHBA, që është donatori kryesor i Observatorit.
Observatori dhe Planetariumi janë të pajisura me teknologji moderne, duke përfshirë teleskopë të fuqishëm dhe sisteme projeksioni që lejojnë vizitorët të përjetojnë një udhëtim unik përmes galaktikave dhe yjeve.
Kjo qendër synon të ofrojë programe edukative për shkolla, universitete dhe publiku i gjerë, duke inkurajuar eksplorimin dhe kërkimin shkencor.
Hapja e kësaj qendre shkencore, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi 300 mijë euro, po konsiderohet të jetë ndër ngjarjet më të veçanta dhe historike për vendin tonë.