Përurimin e segmentit Stanovc- Vushtrri, Kurti: Rruga Prishtinë-Mitrovicë po bëhet

12:17 | 20 Dhjetor 2024
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrat Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, mori pjesë në përurimin e segmentit Stanovc – Hyrje e Vushtrrisë, rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë.

Rruga Prishtinë – Mitrovicë ka nisur në vitin 2009, mirëpo është dashur që të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ecë puna.

Kontrata për këtë segmentin Stanovc-Hyrje e Vushtrrisë është nënshkruar në fund të muajit shkurtit të këtij viti dhe për dhjetë muaj po përurohet rruga me gjatësi prej 5.5 kilometra e cila kalon në vendbanimet Lumi i Madh, Dumnicë e Poshtme, Maxhunaj, Pestovë, Samadrexhë, Sfaraqak dhe Nedakovc, ka tre nënkalime, një nënkalim për këmbësorë dhe një urë.

Ndërkaq, punimet po vazhdojnë në segmentin tjetër të rëndësishëm Vushtrri – Gojbulë, i cili ka afër 4.2 km gjatësi. Për përfundimin e tërësishëm të kësaj rruge Qeveria ka nënshkruar marrëveshje për hua në vlerë 15 milionë euro për ndërtimin e segmentit Smrekovnicë – Mitrovicë me gjatësi 5 kilometra.

Rehabilitimi nga një rrugë me dy korsi në atë me katër korsi, me drenazhim me gypa të ujërave në tërë gjatësinë e saj, trotuare për këmbësorë në vendet ku ka vendbanime dhe biznese, përmirësim të rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit si dhe rrjetit elektrik, do të ndikojë në komunikacion më të sigurt dhe të shpejtë, qarkullim dhe transport më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve për bizneset dhe fermerët, si dhe mundësi zhvillimi më të madhe të pjesës veriore të Kosovës, qyteteve të Vushtrrisë, Mitrovicës dhe më gjerë.

“Urime të gjithëve është një arritur e madhe e përbashkët dhe rruga Prishtinë – Mitrovicë është një rrugë që shteti i Kosovës ia ka pas shumë borxh Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës dhe të gjitha këtyre fshatrave përreth, të cilët kanë vonuar që të vijnë në Prishtinë”, shtoi kryeministri duke i uruar qytetarët dhe falënderuar ministrin, zëvendësministrat dhe stafin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës./Arbresh.info/

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Rruga Prishtinë – Mitrovicë po bëhet. Ka nisur në vitin 2009 që domethënë e ka pothuajse moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mirëpo është dashur që të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ecë puna.

Unë e falënderoj ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishi dhe gjithë stafin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për punën që kanë bërë.

Ky segment është nënshkruar në fund të shkurtit si kontratë dhe për dhjetë muaj po e përurojmë në një gjatësi afër 5 kilometra e gjysmë. Ka ngelur edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e cila është rreth 5 kilometra Smrekovnicë – Mitrovicë dhe e cila do të kushtojë rreth 15 milionë euro.

Janë kryer me përpikëri, me drejtësi edhe shpronësimet edhe rregullimi i trotuareve, edhe drenazhe, edhe gypat e ujësjellësit dhe të kanalizimit është dashur të rregullohet, edhe rrjeti elektrik, prandaj edhe ka pasur shumë këso punësh, të cilët nuk është se shihen sot, mirëpo Ministria, punëtorët, operatorët ekonomikë i kanë kryer dhe tash ne e kemi vetëm këtë asfaltin e lëmuar, në të cilin ecim me shpejtësi të paparë më herët.

Unë erdha me një aktivist të Vetëvendosjes, i cili është nga Oshlani, edhe më tha prej Oshlanit – Prishtinë për 35 minuta ka qenë e paimagjinueshme.

Edhe një herë, urime të gjithëve është një arritur e madhe e përbashkët dhe rruga Prishtinë – Mitrovicë është një rrugë që shteti i Kosovës ia ka pas shumë borxh Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës dhe të gjitha këtyre fshatrave përreth, të cilët kanë vonuar që të vijnë në Prishtinë, nganjëherë thua se po vijnë prej Gjakovës a prej Pejës, aq trafiku ka qenë i dendur e rruga e parregulluar, e cila tash nuk është më me dy korsi, po është me katër korsi, rrugë e cila është ndërtuar sipas standardeve dhe gjithashtu i ka edhe këto pjesët përcjellëse qysh është nënkalimi e të ngjashme, sepse kemi bërë edhe planifikim, përveçse zbatim.

Në të kaluarën, fatkeqësisht, ka pasur përpjekje për zbatim pa planifikim e mandej ngecje në shpronësim, ngecje në kryerjen e punës së operatorëve ekonomikë dhe tash për shkak se janë ndjekur procedurat dhe për shkak se shtrimi i rrugës nuk është thjesht vullnet politik, është edhe inxhinieri, është edhe shkencë. Kjo u realizua dhe do të vazhdojë edhe me segmentin tjetër Smrekovnicë – Mitrovicë.

Edhe një herë faleminderit shumë ministër, Liburn, e zëvendësministër, Hysen, e zëvendësministri Jeton.

Të ngjashme