Tema e kohëve të fundit e më e nxehta për vend është Gjykata Speciale. Kjo temë kohën e fundit ka vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin e Kosovës. E gjithë kjo pasi që ditë më parë nga krerët e shtetit u tentua të shfuqizohej Ligji i Speciales. U tha se kjo iniciativë ishte nisur nga i pari i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ishte vetë ai që në vitin 2015 e kishte shtyrë në Kuvend.
Që atë kohë një ligj të tillë e kundërshtoi opozita pjesë e së cilës ishin Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA. Kundërshtimi u bë me gaz lotsjellës e protesta të shumta, por pavarësisht kësaj Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale u miratua në Kuvend me 73 vota për, shkruan arbresh.info.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshtoi me çdokush themelimin e një Gjykate të tillë.
“Vetëm Kosova u dashka të kalojë për të katërtën herë për pastrim. Aq të papastër jemi sa na u dashka edhe njëherë që të pastrohemi”, pati deklaruar Haradinaj në vitin 2015.
Në anën tjetër Hashim Thaçi i cili atë kohë ishte zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës u kërkonte me ngulm deputetëve ta votonin krijimin e Gjykatës Speciale.
“Deputetë të nderuar, Qeveria e Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themelohet gjykata speciale, si një vendim jo i lehtë, por i domosdoshëm në kohë dhe përgjegjësi për thellim të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, i përgjegjësive tona për të mos pasur pengesa që do na vononin në integrimin euroatlantik. Ne këtë vit mund ta shndërrojmë në një vit evropian të Kosovës”, deklaronte atëkohë Thaçi.
Viti 2016 ishte vit në të cilin u përfol se kush mund të ishin të akuzuarit e Gjykatës Speciale. U përfolën emra të shumtë e në mesin e tyre edhe komandantët e UÇK-së, si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli e komandantë të tjerë disa nga të cilët edhe ishin duke e vuajtur dënimin. Këta emra ndonëse jo zyrtarisht ishin top lajme te medieve jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare.
E 2017-ta ishte vit i nxehtë për Gjykatën Speciale, thënë më mirë fundi i këtij viti. Më 22 dhjetor krerët e shtetit, por tani në pozita të ndryshme në krahasim me ato para dy viteve, Hashim Thaçi President dhe Ramush Haradinaj Kryeministër tentuan të shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale.
I mblodhën 43 nënshkrime për një gjë të tillë duke mos marrë parasysh as deklarimet e ambasadorëve të shteteve mike që shfuqizimi i një Gjykate të tille e cenon integritetin dhe sovranitetin e vendit. Madje as deklaratat se nëse shfuqizohet Ligji për Specialen, Kosova kthehet shumë vite prapa ku rrezikohej edhe heqja e pavarësisë së vendit.
Pasi që nuk u mblodhën nënshkrimet e duhura, një gjë e tillë dështoi dhe reagimet e shumta nga analistë e shoqëria civile filluan t’i shkojnë në adresë Presidentit Thaçi për dorëheqje.
Që të dy, edhe Presidenti Thaçi edhe kryeministri Haradinaj pas kësaj u deklaruan se një Gjykatë e tillë nuk është në të mirë të vendit.
Thaçi ndonëse vetë e kishte shtyrë një ligj të tillë në vitin 2015 në Kuvend, tha se atëkohë kishte pasur presion nga ndërkombëtarët për themelimin e një Gjykate të tillë.
“Ata na premtuan se nëse e themelojmë një Gjykatë Speciale, Kosova mund ta ketë ushtrinë, mund ta ketë liberalizimin e vizave, do të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare. Por, asgjë nuk ndodhi ndërsa tani unë nuk mund të dalë kundër kërkesës se deputetëve dhe do ta nënshkruaja nëse do të më vinte në tavolinë shfuqizimi i një ligji të tillë”, pati thënë Thaçi.
Në anën tjetër kryeministri Haradinaj në një deklaratë për media e kishte pranuar se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja për vendin.
“Ky veprim ka pasojat e veta. Pra nuk është pa pasoja. Në fakt edhe Gjykata vetë është barrë e rëndë për Kosovës. Hiq faktin se edhe ne jemi të interesuar për zbardhjen e çfarëdo vepre kriminale të luftës apo pas luftës. Një situatë e tillë Kosovën e nxjerr gati monstrum ligjor, pra vetëm për Kosovën organizohet një situatë e veçantë. Ka pas një për krejt ish-Jugosllavinë ku jemi përfshi ne, e tani është vetëm për Kosovën”, kishte thënë Haradinaj.
E kush nga këta të dy ia ka frikën më të madhe Gjykatës Speciale, ende nuk dihet ndonëse Haradinaj është gjykuar nga drejtësia ndërkombëtare, kurse ai i cili duket se e ka radhën për t’u gjykuar është vetë Thaçi apo ish-komandant Gjarpri./arbresh.info/
Aeroplani i linjes Hamburg – Prishtinë, bën ulje të detyrues...
Haradinaj organizon pritje për veteranët e UÇK-së
Horoskopi ditor, zbuloni parashikimet e yjeve për shenjën tu...
Parashikimi i motit për këtë të dielë
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë