Përplasje ndërmjet përfaqësuesve të Presidencës së Bosnjës në Beograd, shkak Kosova

15:06 | 6 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Konferenca e përbashkët e presidentit të Serbisë dhe përfaqësuesve të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Beograd është përshkuar edhe me disa tensione dhe ‘sqarime’ shtesë. Kjo ka ndodhur ndërmjet Bakir Izetbegoviqit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Edhe pse në emër të Bosnjës ka folur përfaqësuesi kroat i Presidencës së Bosnjës, Dragan Çoviq, në fund të konferencës ka qenë përfaqësuesi boshnjak, Izetbegoviq i cili është detyruar të ndërhyjë dhe të sqarojë më shumë.

Kjo ka ndodhur pasi që Çoviq paraprakisht ka thënë se sa i përket Kosovës, Sarajeva zyrtare nuk do ta ndryshojë qëndrimin derisa një gjë të tillë mos ta bëjë Beogradi, transmeton lajmi.net.

Vuçiq ka thënë se e ka marrë një mbështetje të tillë gjatë takimit, derisa Çoviq ka deklaruar se “Bosnja do t’i unifikojë qëndrimet me Beogradin sa i përket çështjeve të brendshme të Serbisë”.

Kjo nuk i ka pëlqyer Izetbegoviqit, i cili ka ndërhyrë në fund.

“Politikën ndërkombëtare të BeH e do ta drejtojnë këta tre persona (anëtarët e Presidencës së BeH), dhe ajo do të drejtohet në Sarajevë. Natyrisht se do t’i marrim për bazë edhe qëndrimet e vendeve fqinje, sepse jetojmë me Serbisë dhe jetojmë me Kroacinë, si dhe me BE-në. Por qëndrimi im është që politika e jashtme drejtohet në Bosnje dhe unë e kam lutur Çoviqin që këtë ta thotë si qëndrim të tij personal, jo qëndrim të Presidencës”, ka thënë Izetbegoviq.

Të kujtojmë se Izetbegoviq ka deklaruar se Bosnja duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë pati ngritur shumë pluhur në rajon, derisa Serbia pati nisur edhe ta kërcënonte Izetbegoviqin. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme