Google ADS

Përplasen taksistët shqiptarë dhe policia në veri

15:49 | 31 Mars 2017
Arbresh.info

Përplasje verbale mes taksistëve shqiptarë dhe disa policëve të veriut të Mitrovicës, ka ndodhur sot rreth mesditës në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të këtij qyteti, ndërsa pati edhe tentime për arrestim.

Shkak i kësaj përplasje ishte tentimi nga ana e policëve për t’i dënuar taksistët për shkak të parkimit të automjeteve të tyre në udhëkryqin kryesor të lagjes, ku ndodhet shenja e komunikacionit që ndalon ndaljen dhe parkimin e automjeteve.

Mirëpo, taksistët dhe banorët shqiptarë të kësaj lagje ankohen se pjesëtarët e Policisë së Kosovës të stacionit veri dënojnë në mënyrë selektive dhe vetëm shqiptarët.

Ramadan Fejza, qytetar, tha se policia këtu zbaton ligjin dhe merr masa vetëm ndaj shqiptarëve, kurse ndaj serbëve jo. Sipas tij, shqiptarët në atë pjesë të qytetit janë krejtësisht të pambrojtur.

“Këtu po ndodh çka është më e keqja. Policë serbë me një shqiptar të ndershëm, kështu i themi, i largon vetëm shqiptarët, merr masa vetëm ndaj shqiptarëve, ndaj serbëve aspak. Asnjëherë nuk marrin masa, i ndalin me tabela KM, PR, BG, dhe nuk ndërmarrin asnjëherë, pos neve që për një kafshatë buke dalim… Për me heq veturën, s’po mundem me u shpreh në mënyrën banale qysh u shpreh polici…Ligji për shqiptarët këtu absolut nuk vlen. Nuk kemi ligj, nuk kemi mbrojtje, por për serbët ligji është shumë i disponueshëm për ta në çdo aspekt”, ka thënë Fejza.

Edhe Ramadan Jonuzi, banor i ‘Lagjes së boshnjakëve’, i cili punon me automjetin e tij taksi, ka bërë të ditur se ligji në këtë pjesë nuk vlen për të gjithë njëjtë.

“Te ne nuk funksionon ligji hiç. Këta policë, kapërcejnë vetura me tabela KM dhe të ngjashme, askush s’guxon me i ndal, ndërsa neve na pengojnë, s’na lënë për të punuar. Unë jam banor i kësaj ane dhe përtej këtu s’kam ku shkoj… Me më arrestuar se veç po kanë qejf se jam shqiptar për këtë.. Në udhëkryq e kam pas veturën sikur të gjithë. Unë ju thash, nëse ekziston ligji për të gjithë ekziston edhe për mua, përmbi ligjin s’është askush. Le t’i dënojnë krejt, atëherë edhe mua, jam i pajtimit… Më herët ishte një veturë me tabela KM dhe s’guxuan me i thënë asgjë. Ja tani, pa tabela kalon këndej, nuk guxon me ndal, neve po na ndalin, pse nuk e di. Ne i paguajmë të gjitha dhe na dënojnë”, theksoi mes tjerash Jonuzi.

Ndryshe, njëri prej policëve ka penguar gazetarin e KosovaPressit gjatë punës së tij, duke provuar të mos lejojë xhirime dhe ta ndalë kamerën menjëherë. KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e policisë në veri rreth kësaj ngjarje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme