Përplasen keq Driton Selmanaj dhe Memli Krasniqi

00:06 | 11 Maj 2017
Trina Galanxhi

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, analisti Driton Selmanaj dhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi janë përplasur keq në emisionin “Click” në RTV 21 kur është folur nëse PDK-ja ka tradhtuar partnerin e koalicionit LDK-në.

Selmanaj ka thënë se PDK ka shkelur marrëveshjen të cilën e kishte bërë më LDK dhe se tashti po del që dikush e ka luajtur një lojë përtej pragmatizmit dhe realizmit. E kjo, sipas tij është tradhti.

“Këta e shkelen marrëveshjen që vet e kanë bërë, në kontekstin më të gjerë del dhe nuk po flasim a ka qenë mirë me u rrënu kjo qeveri. Atë çka e pash deklaratat e SHBA dhe Gjermanisë mendoj se dikush e luajti një lojë përtej pragmatizmit dhe realizmit, ka elemente të tradhtisë”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka vazhduar të insistojë se PDK ka një standard të funksionimit.

“Kjo është mënyra se si funksionon PDK-ja. Tradhtinë e keni standard të sjelljes në politikë”, ka thënë Selmanaj.

E kjo ka acaruar Memli Krasniqin.

“Kqyre Driton, se tash po ngoj edhe kur folin palidhje nuk ndërhy. N’daç bonu argat, mundesh edhe me qenë mercenar”, ka thënë Krasniqi, i cili e ka akuzuar Selmanajn se është “argat i LDK-së”.

Përplasjet e tyre kanë vazhduar deri në atë pikë sa Selmanaj i thotë Krasniqit se ka lëndë në gjykatë për kohën kur ka qenë Ministër i Kulturës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme