Përpjekje e dështuar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale

08:24 | 23 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë me çka e kanë pamundësuar kuorumin për vendimmarrje. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Sipas procedurës, Kryesia e Kuvendit duhej që ta procedonte propozimin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe më pas, Qeveria ta dërgonte atë në Kuvend për miratim.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se përpjekjet për seancë të jashtëzakonshme përfundojnë këtu për të vazhduar ditëve në vijim.

Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar mund të prodhojë situata të reja, që sipas tyre do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala ka thënë në një konferencë për media se kjo tendencë është tepër e rrezikshme dhe fut vendin në aventura të paparashikuara.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet jetike duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim. LDK e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-në, vendet e BE-së dhe vendet e tjera mike. LDK nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe vendit të futet në rrugë të paqarta”, ka thënë Shala.

Kurse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale do të ishte rrënues për shtetin.

“Si kryetar i LDK-së i konsideroj rrënuese për shtetin tonë dhe të dëmshme për drejtësinë iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka qenë i pranishëm në ambientet e Kuvendit prej ku ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë iniciativë.

“Më duhet të them që jam shumë i dëshpëruar për këtë çështje që erdhi papritur, pa ndonjë debat publik dhe që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës. Unë e konsideroj turpëruese.

“Në rast se ky propozim kalon do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës dhe do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si thikë pas shpinës”, ka thënë ambasadori Delawie.

Disa orë më parë ambasadori amerikan e ka cilësuar si të tmerrshme një ide të tillë.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë investuar në Kosovë për ta parë derisa e shkatërron të ardhmen e saj në këtë mënyrë.

“Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se nuk e di saktë se cila do të ishte përgjigja e Londrës e as e BE-së për Kosovën nëse e zhbën Gjykatën Speciale, por ka thënë se kjo mund të jetë nata më e rrezikshme e Kosovës që nga pas lufta.

“Kam kërkuar që të ndalet procesi i gjykatës. Kosova i ka dhënë besën Bashkimit Evropian, që do të vazhdoj procesi. Nëse anulohet tash reagimi do të jetë shumë keq për Kosovën. Nuk do dua të them se korrupsioni e krimi i organizuar nuk e dëmton Kosovën sepse këto janë të lidhura me politikën dhe politikanët, por kjo e dëmton dhe e shkatërron Kosovën. Sonte mund të jetë nata me e rrezikshme për Kosovës që nga pas lufta”.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë përmes një postimi në Twitter se “iniciativa e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tmerruese dhe jashtëzakonisht e dëmshme”.

Kjo nismë në Kuvend ka nxitur dhe reagimet e shoqërisë civile. Organizatat joqeveritare, FOL, Instituti Demokratik i Kosovës, Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INPED) kanë dalë me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës e kundërshtojmë iniciativën e një pjese të deputetëve te Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Kjo iniciativë është e rrezikshme, eksperiment i dëmshëm dhe i paprecedent në shtetndërtimin tonë”, thuhet në deklaratë.

Ne reagimin e tyre thuhet po ashtu se “deputetët e Kuvendit të Kosovës do të duhej të prezantojnë përgjegjësi shtetërore kur gjenden përballë këtyre iniciativave, e të cilat minojnë skajshmërisht kredibilitetin e shtetit dhe humbin besimin e partnereve tanë”, thuhet pos tjerash në deklaratë.

Organizatat kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, nga deputetët individualisht dhe nga Qeveria e Kosovës që të jetë e ndërgjegjshme për rreziqet që kjo iniciativë ka dhe për pasojat e pariparueshme në funksionalitetin e shtetit dhe humbjen e përkrahjes nga shtetet aleate.

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Miratimi ishte bërë me shumicë votash por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë shumë pak nga vërejtjet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Autoritetet në Prishtinë ishin deklaruar se nuk kanë pasuar mundësi të ushtrojnë ndikim në tekstin e ligjit.

Kuvendi po ashtu kishte miratuar edhe projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme