Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në 100 ditëshin e qeverisjes ka publikuar disa të arritura të cilat thotë se janë duke ndodhur për transformimin e kryeqytetit.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shumë nga projektet e premtuara gjatë fushatës, i ka vënë në binarët e duhur.
“Projekte nga të gjitha llojet e sektorëve: urbane, infrastrukturore, brendapërbrenda dhe rreth e qark; shëndetësore, në këto kohë sfiduese; restauruese, në linjë me vizionin tonë për Prishtinën e përjetimeve; mjedisore, për hapësira të reja të gjelbëruara; bujqësore, për ujitjen e tokave të mbjella; zhvillim rural, rekreative, për më shumë ndërveprim sportiv”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, këto janë veç disa nga nismat e deritashme vetëm nga “ana e dukshme e medaljes”.
“Gjatë këtyre muajve punuam ngjeshur edhe që i gjithë kabineti të zotërojë njohje të mirëfilltë të legjislacionit në fuqi (primar e sekondar) në fushën e vetëqeverisjes lokale. Prishtina, ndryshe nga çdo komunë tjetër, me Ligjin për Kryeqytetin gëzon status të veçantë, që përkthehet në kompetenca, por edhe në përgjegjësi të shtuara”.
“Ky realitet përkon me ambicien tonë. Ne duam ta shtrijmë, deri në nivele kapilare, brenda dhe jashtë organit tonë vetëqeverisës, mendësinë e re – atë të Institucionit të Kryeqytetit të Republikës së Kosovës”, shtoi tutje.
Më tej thekson se gjatë këtyre ditëve janë zyrtarizuar partneritetet me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me ambasadorë të huaj, me ministra e titullarë të tjerë të pushtetit qendror, si dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë e vendorë.
“Jo më pak të rëndësishme janë takimet, po aq të shumta gjatë kësaj kohe, me drejtues organizatash të ndryshme joqeveritare, pjesëtarë të komunitetit të biznesit, të artistëve, të asociacioneve sportive, fetare, e deri te ato me qytetarë. Asnjë qeverisje gjithëpërfshirëse nuk mund të mendohet pa kontakte të ngushta e pa mirëbesimin e njerëzve që artikulojnë nevoja e propozime prej grupesh të ndryshme interesi, ndërkohë që veprojnë edhe si kundërpesha që ndihmon për ta mirëmbajtur baraspeshimin. Gjithçka, në fund, bëhet për interesin e përbashkët qytetar. Ky është vetëm fillimi. E rëndësishmja është se jemi vënë, tashmë me hapa gjithnjë më të sigurt e më të shpejtë, në rrugë të mbarë”, tha ai në raportin e parë të 100 ditëshit.
Raportin e plotë të Komunës së Prishtinës mund ta gjeni KËTU.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit