Sot Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë edhe aktivitetin e Qeverisë.
Në këtë mbledhje, PDK ka marrë vendim që t’i përjashtojë disa anëtarë të saj nga dega në Gjilan për shkak që s’e kanë respektuar një vendim të partisë që lidhet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
“Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin. Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, thuhet në komunikatën e partisë.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.
“Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie”.
PDK shpreh “shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë. Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare”.
Prandaj, PDK tha se duke u nisur nga “ky realitet i hidhur politik dhe ekonomik në vend” e ka marrë edhe vendimin për përjashtimin e anëtarëve të saj.
“Gjatë këtij takimi u vlerësua shumë edhe organizimi i suksesshëm i “Muajit të Rinisë” nga Rinia Demokratike e Kosovës, ku, përgjatë tërë muajit gusht janë në proces të realizimit 24 aktivitete nga më të ndryshmet, në shumicën e komunave të Kosovës. Të rinj e të reja të shumtë i janë bashkuar Rinisë Demokratike, duke shfaqur talentin e tyre, por edhe përkushtimin e vendosur që të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për ta”, thuhet më tej në komunikatën e partisë.
“Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, mbetet e angazhuar që të mbrojë interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”.
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...