Përgjigja ‘diplomatike’ e Gërvallës kur pyetet nga Zëri i Amerikës për dënimin që mori MPJD pasi fshehu materialet për Prindon Sadriun

22:16 | 28 Shtator 2022
L G

Zëri i Amerikës ia ka përmendur kryediplomates Donika Gërvallës dënimin që mori MPJD’ja pasi fshehu materialet për bashkëshortin e Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu rreth shpenzimeve të parasë publike.

Ndryshe, me 13 mijë euro është dënuar Ministria e Punëve të Jashtme, pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konstatuar se ministria e drejtuar nga Donika Gërvalla – nuk kanë ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.

Ndërsa, përgjigja e Gërvallës ishte duke e injoruar atë pjesë, e duke thënë se që kjo qeveri është më transparentja ndonjëherë në historinë e Republikës së Kosovës.

“Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile. Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë”, tha ajo.

Mes tjerash, Gërvalla shtoi se matjet ndërkombëtare tregojnë që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer disa vende lart nëpër organizata ndërkombëtare.

“Ne kemi nevojë për një transparencë edhe më të lartë edhe pse tregojnë edhe matjet ndërkombëtare që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer në organizata ndërkombëtare disa vende lart, prandaj larg së qeni perfekt, jemi duke u munduar që të jemi edhe më mirë. Megjithatë të mos harrojmë që kjo është qeveria më transparente që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës”.

Ndërkaq, Krenare Sogojeva-Dërmaku, komisionere për Informim dhe Privatësi thotë se deri më tani kanë shqiptuar katër gjoba dhe se ajo më e madhja është ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), lidhur me shpenzimet e parasë publike.

“Gjoba më e madhe është ndaj Ministrisë së Jashtme, e cila ka pasur të bëjë me shpenzimin e parasë publike”, tha komisionerja në KTV, duke pohuar se bëhet fjalë për rastin e bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.

Të ngjashme