Përgatitja e sulmit terrorist në gjimnazin e Pejës |Sociologët dhe njohësit e arsimit: Bullizmi një ndër shkaktarët

10:00 | 14 Tetor 2023
K.B

Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë për pak sa nuk u trondit nga një sulm i planifikuar nga një nxënës i shkollës për vrasjen e shokëve të tij javën e kaluar.

Përgatitja dhe planifikimi për sulm i shkojë huq nxënësit 16 vjeçar, i cili u zbulua dhe u parandalua nga Policia e Kosovës.

Por, sociologët dhe njohës të çështjeve të arsimit e shohin të nevojshme rritjen e numrit të sociologëve dhe trajtimin e nxënësve me më seriozitet nga institucionet e arsimit në vend.

Sociologu Bekim Selishta thotë se antivirusi i këtyre ngjarjeve është sociologu.

Sipas tij, një nga arsyet që ka mund të shtyjë nxënësin në fjalë të planifikojë një sulm terroristë, mund të jetë bullizimi.

“Kjo ka shumë shkaktar, por njëri më të mëdhenjve mund të jetë edhe bullizimi që është një fenomen kogja në rritje. Prej që llogaritet edhe kriminaliteti në rritje në krejt botë, d.m.th. edhe kjo mund të jetë njeri prej shkaktarëve”, thotë Selishta.

Ai thekson nevojën për ndërrimin e mentaliteti në vend, teksa si problem e sheh luftimin e fenomeneve që nuk janë në dobi të nxënësve.

“Maqedonia dhe shumë vende të zhvilluara definitivisht janë duke i dhënë më shumë hapësirë sociologëve, sepse sociologët janë ata që ndikojnë tek socializmi i raporteve mes kolegëve mësimdhënëseve dhe familjes, jo psikologu. Tek ne duhet mentaliteti duhet të ndërrohet, të tregohet që këto sene duhet të diskutohen. Kjo është pasoj që ne kemi nevojë të kemi më shumë sociolog nëpër shkolla, ta kuptojmë këtë fenomen që është kogja serioz, nuk është veç si farsë por është si fenomen që duhet të diskutohet edhe më gjatë me nxënëse”, shprehet Selishta.

Osmani: Arsimi në Kosovë, në gjendje të mjerueshme

Njohësi i çështjeve të Arsimit, Argjend Osmani mendon se problemet që u grumbulluan me dekada në arsim, asnjëherë nuk u punua seriozisht në adresimin e tyre.

Për këtë, sipas tij, vijnë situata të tilla, siç është kjo me nxënësin nga Peja.

“Rasti i fundit i identifikimit të një të mituri, që po planifikonte sulm terrorist në shkollën e tij, me qëllim të vrasjes së nxënësve, shpërfaqi edhe njëherë gjendjen e mjeruar që ka Kosova në sferën e arsimit. Problemet e grumbulluara me dekada, e që asnjëherë nuk u punua seriozisht në adresimin e tyre, sollën një situatë të tillë, që ne si shoqëri kurrsesi të dalim nga ky rreth vizion”, thekson Osmani.

Sipas tij, dukurit asociale janë duke e shoqëruar arsimin në Kosovë edhe në ditët e sotme, teksa shprehë nevojën që të përmirësohet kjo gjendje.

“Dukuritë asociale, siç janë: Humbja e respektit; bulëzimi; përdorimi i lëndëve narkotike; duhani; bartja e armëve; etj, e kanë shoqëruar arsimin e Kosovës për një kohë të gjatë. Fatkeqësisht, në ditët e sotme është vështirë të konstatohet se sa janë të sigurta shkollat tona, duke e pasur parasysh të gjitha dukuritë asociale që mund të hasen në to”, u shpreh Osmani.

Ai pohon se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë bashkëpunim më efektiv me arsimin në mënyrë që të përmirësohet gjendja kaotike në shkolla.

“Në këtë rrafsh organet e sigurisë, të mbështetura nga menaxhmenti i shkollës, DKA-t e deri tek MASHTI, duhet të ndërmarrin hapa konkret që kjo gjendje të përmirësohet. Përfundimisht, ka ardhur koha që Qeveria të marrë përgjegjësitë që ka, kurse shoqëria kosovare të ndërrojë qasje në raport me arsimin dhe të krijohet një bashkëpunim më efektiv i të gjithë akterëve të involvuar në këtë fushë, me qëllim që gjendja kaotike të përmirësohet”, shprehet Osmani.

Ndonëse portali i Arbresh.info ka kërkuar të dijë nëse Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në shkolla pas këtij rasti, nuk është kthyer asnjë përgjigje nga ky institucion

Ndryshe, planifikimi i sulmit ishte kopjuar nga sulmi terrorist që ndodhi në muajin maj në një shkollë në Serbi, ku një nxënës vrau tetë shokët e tij.

B.M., 16 vjeçar nga Peja planifikonte që më 31 tetor të kryente një sulm terrorist në shkollën e tij, ku cak kishte gjashtë shokët e tij.

Ky planifikim, ka ngritur reagime të shumta, teksa u shpreh në vazhdimësi nevoja që të rritet më shumë siguria nëpër shkolla.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të dielën i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të miturit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

Të ngjashme