Google ADS

Përfundon takimi për vizat, Çekia: Duhet sqaruar disa çështje, pastaj të vazhdohet diskutimi

18:50 | 13 Tetor 2022
K.B

Ka përfunduar takimi i grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

REL raporton se Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.

Ndërsa takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Në lidhje me këtë, në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca çeke, thuhet se në takimin e sotëm, Komisioni Evropian ka prezantuar raportin i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbush kriteret për liberalizimin e vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në deklaratën e tyre.

Tutje shtohet edhe se, grupi punues në përgjithësi ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave dhe se diskutimet duhet të vazhdojnë në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, është thënë tutje në deklaratën e presidencës çeke.

Përndryshe, më herët është raportuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është kushtëzuar nga ana e Francës me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme