Përfundon takimi i 6 kryeministrave, u diskutua për dialogun Kosovë- Serbi

23:39 | 18 Dhjetor 2017
M. A.

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë e Bashkimit Evropian, njëherësh zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, ka qenë sot nikoqire e një tubimi joformal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për situatën në rajon, dhe në veçanti për mundësitë për të përparuar integrimin e rajonit në BE më 2018.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj; kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq; kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev; kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq; dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, kanë ritheksuar vendosmërinë e tyre për të vazhduar punët për procesin e integrimit në BE, bën të ditur një komunikatë e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

“Siç është konfirmuar qartazi këtë vit, përfshirë nga Këshilli Evropian në mars, dhe nga kryetari Jean-Claude Juncker në adresimin e tij të përvitshëm për gjendjen e BE’së në shtator, viti 2018 do të ofrojë një mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm drejt integrimit të tij në BE, nëse i jepet prioritet maksimal reformave të nevojshme, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe të të drejtave themelore”, thuhet në komunikatën e BE’së.

“Me një dinamikë të përtërirë në politikën e zgjerimit të BE’së dhe një shans për të bërë progres të rëndësishëm në tërë rajonin, Përfaqësuesja e Lartë ka theksuar nevojën që të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor të përshpejtojnë reformat e nevojshme për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve të tyre, dhe të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit në BE”, thekson komunikata.

Sipas BE’së, pjesëmarrësit kanë theksuar vendosmërinë e tyre dhe interesin e tyre për të forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe për t’u treguar mirëkuptues me njëri-tjetrin.

“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e diskutimeve të vazhdueshme ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, për të çuar përpara dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundon komunikata e BE-së./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme