Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca e së mërkurës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt në sesion privat.
Në fund të seancës, mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis, ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria, të përkthehen në gjuhën shqipe, pasi që sipas tij Krasniqi nuk di të lexojë në gjuhën angleze, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se dy dokumentet e dorëzuara, njëri që ka të bëjë me korrigjimin lidhur me deklarata të mëhershme dhe njëri dokument si material i ri, iu janë dorëzuar vetëm në gjuhën angleze.
Lidhur me kërë, prokurori special Matt Halling tha se nuk e kanë për obligim që të njëjtat t’i përkthejnë, duke shtuar se mbrojtja duhet t’ua lexojë klientëve të tyre këto dokumente, sikurse ata ia lexojnë dëshmitarit.
Gjykatësi Chales Smith III tha se për këtë, do të jepet përgjigje ditën e nesërme.
Trupi gjykues pranon dy prova materiale në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith III ka pranuar dy prova materiale të shënuara për identifikim P67 dhe P68 në gjykimin e ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Lidhur me to, gjykatësi Smith tha se mbrojtja do të mund të bëjë kundërshtimet e saj në të ardhmen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, gjykatësi Smith tha se nga ana e trupit gjykues janë shqyrtuar parashtrimet gojore të palëve.
“Pasi shqyrtoi parashtrimet gojore të palëve, trupi gjykues konstaton se është përcaktuar rëndësia e këtyre materialeve dhe vlera provuese e treguar, në bazë të rregullores nuk ka ndonjë indikacion që të tregojë se vlera e tyre do jetë më e madhe nga vlera dëmtuese, nga efekti dëmtues, pra trupi gjykues e mendon lidhur me argumentet se është një çështje që ka të bëjë me peshën dhe pranimin e tyre”, tha ai.
Tutje, gjykatësi Smith tha se mbrojtja e Krasniqit sipas parashtrimeve të veta, nuk ka të bëjë me rregullën e provave më të këqija vetëm se Prokuroria duhet të përmbushi rregullin 138 të rregullores.
“Duke pas parasysh që nuk ka gjetur provë më të mirë se ajo, trupi gjykues vendos që në bazë të nenit 48 dhe 141 të rregullores dhe përkthimet në anglisht përkatëse të këtyre provave do të pranohen’”, tha ai në fund.
Seanca është duke vazhduar me sesion privat, duke u dëgjuar dëshmitari i katërt në këtë gjykim.
Mbrojtja kërkon takime me klientët para fillimit të kundërpyetjeve
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se iu nevojitet më shumë se një orë për takimin me klientin e tij para fillimit me kundërpyetjet, pasi që akuzat janë të rënda.
“Klienti kërkon që të flas të premten, e kuptoj shqetësimin për kohën, por janë akuza të rënda, dhe na nevojitet më shumë se një orë’’, tha Keheo, pasi që gjykatësi Charles Smith tha se në sesionin e pasdites do iu jepet nga një orë kohë të gjithëve me klientët.
Edhe pse, gjykatësi Smith tha se të njëjtit mund të kontaktojnë me administratën për të kërkuar kohën që iu nevojitet.
Ai shtoi se mund të shfrytëzohet çdo kohë, por se për këtë do të vendosin tutje.
Paraprakisht, prokurori special Matt Halling sqaroi se prova materiale për të cilën iu është kërkuar të deklarohen, është material i janarit 2020, konkretisht materiali 1.2. i materialit 1251AO1.
Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të katërt në sesion privat.
Rrëzohet kërkesa e mbrojtjes së Selimit për përjashtim të disa pjesëve të procesverbalit të 19 prillit
Gjykatësi Charles Smith III, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në seancën e së mërkurës, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit, lidhur me përjashtimin e disa pjesëve të procesverbalit gjatë seancës së 19 prillit 2023.
“Në fund të seancës së 19 prill 2023, mbrojtja e Z. Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkripti zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin”, tha paraprakisht gjykatësit Smith.
Ai fillimisht tha se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë ku kinse lidhet Selimi me një incident të caktuar dhe se baza mbi kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar për këtë dëshmitar, për këtë incident, u përjashtua me urdhër gojor të trupit gjykues më 17 prill 2023.
“Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka raste ligjore, të parashikuar me ligje apo në rregullore që t’i japë të drejtë trupit gjykues të heqin nga procesverbali pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, tha ai.
Andaj, gjykatësi Smith tha se për çdo rast dëshmia që është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme, andaj edhe kërkesa e Selimit është rrëzuar.
Ndryshe, në fillim të seancës është bërë një ndryshim në procesverbal, sa i përket një prove materiale e cila është duplikuar, andaj dy dokumentet kanë mbetur nën numrin e njëjtë të provës.
Po ashtu, është kërkuar nga ana e ZPS-së që të sqarojë gjatë ditës së sotme se për cilën provë materiale bëhet fjalë në mocionin e tyre për pranimin e deklaratave të të akuzuarve, ku thuhet se do përdorin provën materiale me numër 14, një intervistë e Thaçit me ZPS-në në janar të 2020-ës, pasi që sipas gjykatësit Smith ‘‘trupi gjykues nuk është i sigurt se për cilën provë materiale bëhet fjalë’’.
Kurse, i njëjti ka treguar se do të ketë ndryshim në caktimin e seancave për muajin shtator dhe tetor, duke thënë se nuk do të mbahet seancat e 2, 3, 4 dhe 5 tetorit, por do të mbahen seanca më 25, 26 dhe 27 shtator 2023.
Ndryshe, gjatë seancës së sotme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë, me ç’rast seanca ka kaluar në sesion privat.
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç