Google ADS

Përfundon seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ja kur do të deklarohet dëshmitari i parë

13:45 | 7 Tetor 2021
Arditë Shkodra

Ka përfunduar seanca e parë e gjykimit kundër ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 18 tetor, ku edhe do të dëshmojë dëshmitari i parë i ZPS-së.

Prokuroria në fillim ka lexuar aktakuzën e redaktuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt, raporton arbresh.info

Të dy, Gucati e Haradinaj u deklaruan të pafajshëm para trupit gjykues në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Gucati para se të deklarohej i pafajshëm ka kërkuar dy (2) minuta kohë për të lexuar biografinë e tij, mirëpo kjo kërkesë i’u refuzua.

“Kërkojë dy minuta kohë për të lexuar biografinë time”, ka thënë Gucati, mirëpo gjykatësi këmbënguli që fillimisht të deklarohet në lidhje me akuzat.

Gjykatësi: Zotëri Gucati, a deklaroheni fajtor ose jo për akuzat e ngritura kundër jush, po ose jo?

Gucati: I pafajshëm jam plotësisht.

Ndërsa Haradinaj në një mënyrë apo tjetër refuzoi që të përgjigjet direkt

“S‘muj as ta kuptoj por atë që e lexuat e dëgjova”, ka thënë Haradinaj.

Tutje pas kthimit nga pauza 30 minutëshe, trupi gjykues i’a dha fjalën prokurorisë për të vazhduar kështu me provat e saj kundër dy të akuzuarve.

Prokurorët në cilësinë e provave kanë transmetuar pamje televizive, ku shihen Gucati e Haradinaj sa ishin në Kosovë, nëpër emisione të ndryshme televizive, konferenca për shtyp dhe postimet në rrjetet sociale.

Me këto transmetime të pamjeve të ndryshme prokurorët kanë paraqitur para trupit gjykues prova që sipas tyre dëshmojnë që ish-krerët e OVL e UÇK-së kanë penguar punën e Gjykatës Speciale në Hagë, kanë frikësuar dëshmitarët dhe familjarët e tyre dhe i kanë kërcënuar ata duke i quajtur tradhtarë e spiunë.

Trupi gjykues ka paralajmëruar se seanca e radhës do të mbahet më 18 tetor duke filluar nga ora 09:30, ku edhe do të dëshmojë dëshmitari i parë i ZPS-së.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./arbresh.info/

Të ngjashme