Mbrojtja e ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Toka”, ka afat që deri të premten e kësaj jave, të paraqesin kërkesat me shkrim për përjashtimin nga ky proces gjyqësor të anëtarit të ri të trupit gjykues, Vladimir Mikula.
Kjo është vendosur gjatë seancës që është zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbyllur për publikun seancën ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar.
Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, avokati Bajram Tmava, mbrojtës i të akuzuarës Nyrtene Brajshori.
Seanca e radhës është caktuar më 1 shkurt të këtij viti.
Fillimisht, propozimin për mbylljen e kësaj seance gjyqësore e ka bërë mbrojtësi i ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, avokati Besnik Berisha dhe i cili më pas është aprovuar nga trupi gjykues.
Arsyetimi i këtij propozimi ka qenë diskutimi për të përjashtuar anëtarin e trupit gjykues, Vladimir Mikula, i cili para pak ditëve është caktuar nga EULEX-i dhe i cili njëkohësisht është edhe gjykatës në Gjykatën Speciale.
Në seancën e së mërkurës është ndërruar përbërja e trupit gjykues, ku kryetar i trupit gjykues në vend të Arkadiusz Sedek do të jetë Petko Petkov, kurse gjykatësja vendore Nora Bllaca është zëvendësuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, ndërsa anëtar i këtij trupi është edhe Vladimir Mikula.
Në këtë seancë pritet të vendoset nëse procesi gjyqësor do të kthehet në pikën zero apo do të vazhdohet me shqyrtimin kryesor.
Avokati Berisha ka thënë se gjykatësi i kthyer në trup gjykues javën e kaluar nga EULEX-i, Vladimir Mikula, është edhe gjyqtar në Gjykatën Speciale, dhe se nuk janë të sigurt nëse do të mund të jetë i pranishëm në çdo seancë, nëse fillon punën së shpejti edhe në Speciale.
Berisha gjithashtu tha se ky proces lidhet edhe me përfundimin e misionit të EULEX-it, në fund të qershorit të këtij viti dhe kjo sipas tij, do të ndikojë që procesi të shkojë në procedurë të shpejtë, ndërsa shtoi se drejtësia nuk duhet të lidhet me misione politike.
Prokurori Danilo Ceccareli ka thënë se nuk ka pengesë juridike fakti se Mikula është gjykatës i Gjykatës Speciale dhe po ashtu sipas tij, nuk ka pengesë që lidhet me afatin e përfundinit të misionit të EULEX-it.
Prokurori kërkoi që gjykata të caktoi datat e shqyrtimit kryesor për muajt prill dhe maj të këtij viti.
Pas shqyrtimit të kësaj çështje me dyer të mbyllura, seanca e së mërkurës është shtyrë për1 shkurt të këtij viti.
Ndryshe, pas shqyrtimit fillestar të 12,13 dhe 15 dhjetorit 2016, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm, ishte paraparë që shqyrtimi gjyqësor të filloi pas më shumë një viti, konkretisht më 9 janar 2018.
Të martën e 9 janarit 2018, edhe pse në gjykatë kishin ardhur të gjitha palët, shqyrtimi gjyqësor nuk kishte filluar, pasi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arcadius Sedec, kishte deklaruar se trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë.
Ai kishte thënë se për ta plotësuar trupin gjykues kanë bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të lejojnë që anëtare e trupit gjykues në këtë rast të jetë gjykatësja Nora Bllaca, që tash është transferuar në Gjykatën e Apelit.
Sipas gjykatësit Sedec, arsyeshmëria e kësaj kërkese ishte për të mos përsëritur dëshmitë e dy dëshmitarëve të mbrojtur, që ishin marrë në procedurën e mundësisë së veçantë hetuese, në vitin 2016, para se të ngrihej aktakuza, në të cilën procedurë në kolegjin gjykues kishte marrë pjesë edhe gjykatësja Bllaca.
Kodi i Procedurës Penale parasheh që në rastet kur është zhvilluar procedura e mundësisë hetuese të veçantë, në mënyrë që provat e marra në atë procedurë të vlejnë në shqyrtimin gjyqësor, duhet që njeri nga anëtarët e kolegjit të mundësisë hetuese të veçantë, të jetë edhe anëtar i trupit gjykues në shqyrtimin gjyqësor.
EULEX-i, pa e pritur përgjigjen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e ka tërhequr kërkesën për kthimin e Bllacës në trupin gjykues të këtij rasti dhe ka caktuar gjykatësin e EULEX-it, Vladimir Mikula, si anëtar të trupit gjykues, që bashkë me Bllacën ishte pjesë e kolegjit të mundësisë hetuese të veçantë.
Ndryshe, më 30 prill 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve fillimisht ndaj 12 të akuzuarve, Azem Syla, Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu dhe Hajrullah Berisha.
Kurse, në prill dhe qershor të vitit 2015 si dhe në mars e prill të vitit 2016, ishte zgjeruar hetimi, duke u përfshirë edhe Avni Maxhuni dhe Ljubosha Vujoviq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd
Ndryshe, më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.
Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedek, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë.
Mbrojtja kishte vazhduar të kërkoi rrëzimin e aktakuzës së prokurorisë, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjykatësit Sedek për konfirmimin e aktakuzës, të cilin e ka konsideruar atë si vendim të padrejtë.
Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, ka nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 24 tetor të vitit 2016./Betimi për Drejtësi/
Parashikimi i motit për sot në Kosovë
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...