Përfundon seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokati Emmerson e mori në pyetje dëshmitarin në sesion privat

12:52 | 12 Tetor 2023
A Z

Ka përfunduar duke qenë e mbyllur seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku pyetjeve të avokatit mbrojtës të Veselit, Ben Emmerson, iu është përgjigjur dëshmitari i 30-të

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, njoftoi se seanca e radhës në këtë rast do të mbahet të hënën më 16 tetor.

Në seancë të së hënës, pritet të dëgjohet dëshmitari i 29-të, i cili dje nuk ishte i gatshëm të dëshmonte.

Me të filluar seanca avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që pyetjet e tij drejtuar dëshmitarit të 30-të të jenë në seancë publike.

Kërkesën e Emmersonit e kundërshtoi prokurori Matt Halling, por kryetari i trupit gjykues Charles Smith III e aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe seanca vazhdoi e mbyllur.

“Do iu bëj fillimisht disa pyetje sqaruese në emër të Kadri Veselit”, tha avokati Emmerson.

Por, prokurori Halling ia rikujtoi se janë në seancë publike “Jemi në seancë publike, dua t’ua bëj me dije”.

“Po, unë dua ta pyes dëshmitarin në seancë të hapur, me përjashtim të ndonjë nevoje të jashtëzakonshme për të kaluar në seancë private”, u përgjigj Emmersoni.

Hallingu tha se ua kanë dërguar një e-mail, ku kanë treguar se dëshmitari i 30-të është masa mbrojtëse.

“Kështu që është e nevojshme që të gjitha pyetjet dhe kundërpyetjet të bëhen në seancë private”, e vazhdoi diskutimin prokurori.

Megjithatë, Smithi tha se duhet të kalohet në seancë private.

“Me vjen keq, duhet të kalojmë në seancë private. E kuptoj që doni që seanca të jetë publike, por ky dëshmitarë është me masa mbrojtëse dhe duhet marrë parasysh”, deklaroi ai.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues ia rikujtoi dëshmitarit që ende është nën betim dhe duhet ta thotë të vërtetën.

“Mos harroni të na thoni ku i bazoni njohuritë, faktet dhe rrethanat për të cilat do të na jepni përgjigje. Ju rikujtoj se jeni ende në betim për të thënë të vërtetën”, tha kryetari i trupit gjykues.

Seancën e sotme Jakup Krasniqi është duke e përcjellë përmes videolidhjes, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë në sallën e gjyqit. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme