Google ADS

Përfundon seanca dëgjimore ndaj policit Vesel Veseli, pritet vendimi i gjykatës

16:23 | 7 Shkurt 2019
L G

Ka përfunduar seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj policit 50 vjeçar Vesel Veseli, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për ta futur nën kontroll dhe për ta shfrytëzuar seksualisht një vajzë e cila sapo kishte mbushur 16 vjet, raporton Arbresh.info.

Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi i policit Vesel Veseli, avokati Bekim Kafexholli në një prononcim për media ka bërë të ditur se vendimi për caktimin e masës së sigurisë ndaj klientit të tij pritet të merret brenda disa orësh.

Avokati Kafexholli, duke mos u lëshuar në detaje, ka pohuar se arsyetimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij nuk qëndrojnë.

Sipas tij, ato çka janë raportuar në media lidhur më këtë rast nuk qëndrojnë. Ai pohoi se pret që ndaj Veselit të caktohet një masë sigurie më e lehtë.

“Prokuroria i dha pretendimet e vet. Ne si mbrojtje i dhamë kundërshtimet, për shkak se nuk janë përmbushur kushtet ligjore lidhur me caktimin e paraburgimit. Ato çka janë dhënë në media rreth këtij rasti nuk qëndrojnë në raport me veprat për të cilat e ka ngarkuar prokuroria si dhe kushtet që i ka paraqitur prokuroria për caktim të paraburgimit nuk qëndrojnë”, është shprehur Kafxholli.

Ai u shpreh se pas një ore Gjykata pritet të jap vendimin rreth caktimit të masës së sigurisë ndaj Veselit.

Ndryshe, polici 50 vjeçar Vesel Veseli dyshohet se ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për ta futur nën kontroll dhe për ta shfrytëzuar seksualisht një vajzë e cila sapo kishte mbushur 16 vjet.

Nxënësja nën moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për marrëdhënie seksuale. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte futur në dorë nxënësen. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme