Përfundojnë punimet mbi urën e Ibrit

14:03 | 18 Maj 2018
Arbresh.info

Ndonëse ishte paraparë që në muajin prill të inaugurohet ura mbi lumin ‘Ibër’ në Mitrovicë, kjo nuk ndodhi për shkak se Komuna Veriore kishte ndërprerë punimet aty për interesa të saj.

Por, hapja e kësaj ure planifikohet të bëhet brenda pak ditësh pasi që tani aty po punohet dhe kanë mbetur vetëm disa detaje në mënyrë që ajo të konsiderohet e përfunduar.

Nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka për Indeksonline ka thënë se ura është e gatshme të vihet në qarkullim brenda 48 orëve.

“Punimet mbi urë, realisht kanë përfunduar. Ka mbetur të bëhet sinjalizimi i rrugës dhe vendkalimeve të këmbësorëve si dhe të gjelbërohet rrethrrotullimi. Ajo është e gatshme të vihet në qarkullim brenda 48 orëve nga dita që sjellët vendimi për hapje të plotë të urës edhe për qarkullim të veturave dhe mallrave, pasi që njerëzit kanë shfrytëzuar urën gjatë tërë kohës së paku në këto dy vite të fundit”, ka thënë ai.

Mujka ka shtuar se komuna ka përfunduar obligimet me kohë, por që Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës Veriore e ka sabotuar punën me qëllim që ura të jetë subjekt negocimi me rastin e ndryshimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave.

“Goran Rakiqi ka sabotuar punën me qëllim që ura të jetë subjekt negocimi me rastin e ndryshimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, me çka kufiri i ri do të përcaktohej me rrjedhën e lumit Ibër dhe fshatrat Vinarc, Gushafc, Suhadoll dhe Vidimiriq do ti bashkangjiteshin Komunës Veriore. Normalisht kjo ka qenë dëshira dhe intenca e tij dhe strukturave të Serbisë, sepse bazuar në Kushtetutë kufijtë administrativ komunal janë përcaktuar qysh në vitin 2007”, ka shtuar Mujka.

Nënkryetari i komunës thotë se edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë me e ndërgjegjshme dhe të kërkoi llogari që të zhbllokohet ky proces që është dashur të përfundoj në muajin e kaluar.

“Ky është projekt dhe zotim i BE-së dhe mendojmë se ata duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe më llogari kërkues në këtë çështje dhe të bëjnë presionin e duhur te strukturat e Komunës Veriore ta zhbllokojnë këtë proces. Ne jemi të përkushtuar që sa më shpejtë ura të jetë e gatshme për qarkullim të qytetarëve dhe mallrave të të dy anëve përgjatë lumit Ibër”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, Bashkimi Evropian beson se procesi i rivitalizimit të urës do të përfundoj shpejt.

“Punimet në urë dhe rrethinat e saj janë në vazhdim dhe BE-ja beson se do të përfundojë së shpejti”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së për Indeksonline.
Ndryshe, disa javë më parë shefja e Zyrës se BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se nuk mund të specifikojë datën e saktë të përfundimit të punimeve në urën kryesore në Mitrovicë dhe se kjo varet nga çështjet teknike dhe kushtet atmosferike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme