Google ADS

Përfshirja e ShBA-së në dialog do të jepte efekt edhe në zbatim të marrëveshjeve

08:56 | 15 Tetor 2017
Arbresh.info

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë do ta bënte atë më kredibil dhe marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve do të kishin efekt. 

Kështu ka thënë për arbresh.info profesori i Shkencave Politike Afrim Hoti.

“Bashkimi Evropian ende vazhdon të mos ketë pozicion të qartësuar për Kosovën prandaj involvimi i ShBA-së do e bënte dialogun më kredibil, më të shpejtë dhe më të efektshëm në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se përfshirja e ShBA-së, në secilën fazë të zhvillimeve ka qenë kruciale.

“Nuk ka dilemë që përfshirja e ShBA-së në secilën fazë të zhvillimeve në Kosovë dhe gjetiu ka qenë kruciale. Është dëshmuar më shumë se një herë se prezenca e ShBA-së ka dëshmuar si garancë e zbatimit të marrëveshjeve për Kosovën”, është shprehur Hoti për arbresh.info.

Kurse analisti Imer Mushkolaj thotë se beson se ShBA-të gjithsesi do të përfshihen në dialog por se mbetet të shihet se cila do të jetë forma e përfshirjes.
Mushkolaj deklaron se në këtë rast mund të përfshihet edhe Rusia.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës besoj se do të përfshihen gjithsesi, natyrisht se mbetet të shihen modalitetet se në çfarë forme do të përfshihen. Por, nëse përfshihen Shtete e Bashkuara në të njëjtin nivel apo të njëjtin modalitet unë pres të përfshihet edhe Rusia. Përndryshe nuk pres që vetëm SHBA-ja të jetë pjesë e dialogut. Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen pa marrë parasysh nëse SHBA-të përfshihen ose jo”, ka thënë Mushkolaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut Prishtinë- Beograd.
Ai ka thënë se përfshirja direkte e ShBA-së në fazën përfundimtare të dialogut është përcaktuese për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare, të zbatueshme për të dyja palët.

Deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme