Vrasja e Oliver Ivanoviqit, drejtues i Iniciativës qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi” pranë selisë së tij ka ngjallur reagime të shumta nga përfaqësuesit zyrtar të Kosovës dhe Serbisë.
Pas këtij akti kishte deklarata nga më të ndryshmet si nga qytetarët serb ashtu edhe nga analistë të ndryshëm të cilët deklaruan se Ivanoviqin e vrau Qeveria Serbe ose liderët e partive tjera serbe. Mirëpo këto deklarata ishin përgjithësuese dhe pa ndonjë informatë të saktë, shkruan portali Arbresh.info.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka thënë se është duke vazhduar me aktivitete intensive operacionale dhe hetimore për zbardhjen e kësaj vepre penale.
“Deri në këtë fazë janë intervistuar disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës (përmes: nr. të telefonit konfidencial, e-mail adresa, facebook etj.) Është kryer obduksioni ku edhe kemi rezultatet preliminare, sidoqoftë jemi në pritje të raportit përfundimtar. Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast. Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Mirëpo Qeverisë së Serbisë nuk po i duket që Organet e Drejtësisë së Kosovës po bëjnë punën e duhur lidhur me këtë rast. Kjo pasi që Serbia ka kërkuar të përfshihet në rast.
Një gjë të tillë e ka bërë publike Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Përmes një statusi në facebook Presidenti Thaçi njoftoi se në këtë bisede me Presidentin Vuçiq kishin diskutuar vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq.
“Lidhur me këtë çështje Presidenti Thaçi ka siguruar Presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje. Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje. Të dy Presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy Presidentët”, ishte njoftimi në rrjetin social facebook të Presidentit Thaçi.
Mirëpo, gjatë ditës së djeshme, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme i kanë dërguar shtetit serb një letër zyrtare. Përmes saj deklarojnë se janë të hapura për bashkëpunim të ndërsjellët juridik dhe mirëpresin gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Serbisë për të ofruar ndihmë juridike përmes shkëmbimit të informatave që mund të kontribuojë në zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit, njëherit duke mos cenuar në asnjë rrethanë zhvillimet e procedurës hetimore dhe duke siguruar pacenueshmërinë e juridiksionit të Republikës së Kosovës në zhvillimin e hetimeve për rastin në fjalë.
Ehat Miftaraja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për portalin Arbresh.info se Ligji i aplikueshëm në Kosovë përcakton se organet e sigurisë dhe të ndjekjes të Republikës së Kosovës kanë kompetencë për hetimin e kryesve të veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, ku sipas tij hyn edhe rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviq.
“Kosova sigurisht se mund të kërkoj nga Serbia ndihmë, respektivisht informata apo dëshmi përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale që mund të vije deri te zbardhja e këtij rasti. Serbia nuk ka të drejt dhe nuk mundet që të hetoj rastin në fjalë, dhe çdo veprim i Serbisë në këtë drejtim do të ishte në kundërshtim me praktikat, parimet dhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Këshilli i Evropës lidhur bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale. Kosova sigurisht se mund të pranoj informata që mund të vije te zbardhja e këtij rasti por në asnjë rrethanë nuk mund të shkëmbej apo t’i ofroj qasje Serbisë në të dhënat që ka lidhur me këtë rast”, ka thënë ai.
Sipas Miftarajt Kosova ka marrë mbështetje edhe nga miqtë ndërkombëtar për t’i ndihmuar në këtë rast.
“Lidhur me këtë, Kosova ka marr edhe mbështetje nga miqtë e saj ndërkombëtar të cilët kanë kërkuar nga Kosova për të hetuar këtë rast në mënyrë profesionale dhe efikase, që është edhe mesazh për Serbinë se nuk mund dhe nuk duhet të përzihet në këtë rast. Kosova duhet të jetë e kujdesshme qe si në aspektin juridik ashtu edhe atë politik, të dëshmoj se ka kapacitete dhe është e përkushtuar për të trajtuar këtë rast në mënyrë profesionale, drejt zbulimit të kryesve të veprave penale”, deklaroi ai.
Analisti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për portalin Arbresh.info se qëllimi i autoriteteve serbe nuk është që të zbulohet vrasja por të kamuflohet vrasja.
“Kjo do të ishte një mënyrë që të mos kenë mundësi organet e drejtësisë së Kosovës që të vien deri te provat e vërteta dhe kësisoj do të mund që kjo vrasje të mbetet vrasje e pazbuluar sikurse shumë tjera. Me vetë faktin që vrasja është kryer në mënyrë super profesionale kjo do të thotë që duhet analiza e ekspertëve profesional dhe hetimet duhet të jenë të përmbajtura në mënyrë që asnjë provë të mos dal, sepse me zbulimin e vrasjeve në vepra penale mjafton një provë që të zbulohet rasti, por nuk mjaftojnë edhe qindra prova e që nuk janë relevante. Andaj duhet pasur kujdes që në ruajtjen e provave të mos lejohet të ndërhyjë Qeveria e Serbisë, sepse nëse shteti serb i ka në dispozicion provat materiale atëherë mundësia që të vije deri te zbulimi i vrasjes do të jetë shumë më i vështirë”, ka thënë ai.
Sipas Islamit, Institucionet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë profesionale e materiale për hetimin dhe zbulimin e vrasjes.
“Nuk është çështja që ne nuk i kemi mundësitë, por në këtë rast me vrasjen e personit në fjalë Serbia tenton të përfitoj. Ai është vrarë në territorin e Kosovës dhe Institucionet e Kosovës janë duke hetuar rastin, ndërsa e vetmja mundësi është nëse Qeveria e Serbisë ka prova materiale t’ua dërgoj organeve të hetuesisë së Kosovës, edhe pse deri tani asnjëherë nuk kanë qenë bashkëpunues, por mu në këtë rast duan të jenë mirëpo jo si bashkëpunues por duan të kenë qasje në prova material, sepse vendin e kanë nën kontroll e kanë kufizuar. Por provat duhet të mbesin tek institucionet e Kosovës e asesi të mos i lejohet Serbisë të merr pjesë në hetim”, theksoi ai.
E përveç Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq një përfshirje të Serbisë në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit e ka kërkuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Ajo në një deklaratë për media ka thënë se qeveria serbe do të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe se sipas saj nëse Serbia nuk lejohet të marrë pjesë në hetim, ajo do të hetojë vet.
Ndërsa Drejtori i Policisë në Serbi, Vladimir Rebiç në një deklaratë për mediat serbe ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga EULEX-i dhe UNMIK-u lidhur me kërkesën për përfshirjen e autoriteteve serbe në hetimin e kësaj vrasje./Valdete Berisha/Arbresh.info
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...