Përfshirja e dy pjesëtarëve të FSK-së në vepra penale, ekspertët: Nuk duhet të gjeneralizohet

10:11 | 22 Janar 2023
A Z

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u përfshinë në vepra penale, njëri dyshohet se gjuajti me armë dy të rinj që i përkasin komunitetit serb në Kosovë, ndërsa tjetri dyshohet se theri me thikë një 45-vjeqar.

Por, a ka trajtim të veçantë psikologjik për ata që duan të bëhen pjesë e FSK-së.

Lidhur me ketë çështje, arbresh.info ka drejtuar pyetje tek Ministria e Mbrojtjes, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë thonë se dyshimi për përfshirjen e këtyre dy pjesëtarëve në vepra penale, nuk duhet të gjeneralizohet.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se duke pas parasysh dy incidentet e fundit që ndodhën, duhet që kontrollimi i brendshëm të jetë më i lartë, duke përfshirë edhe pjesën e inspektoratit të FSK-së.

Sipas tij, kontrolli i brendshëm duhet të rritet maksimalisht.

“Pjesa e kontrollit të brendshëm të jetë më e lartë duke përfshirë edhe pjesën e inspektoratit të FSK-së, por edhe kontrollin nga pjesëtaret e Policisë Ushtarake pjesëtarët e tjerë që veprojnë jashtë kazermës dhe kështu do mund të arrihet një preventive “maximale”. Në lidhje me dy incidente të ndryshme, qoftë edhe nga natyra e veprës, por edhe nga motivet e veprës, nuk duhet lejuar që të gjeneralizohen si veprime deri në përmasa deri të “kriminalizimit” të FSK-së”, thotë Shala.

Leposhtica: Edhe pse janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë, të dyja këto raste janë kryer jashtë detyrës zyrtare

Juristi, Labinot Leposhtica thotë se të dyja këto raste janë serioze, pasi rastet janë kryer jashtë detyrës zyrtare.

“Të dyja këto raste janë shumë serioze dhe në veçanti rasti i Shtërpcës, ku është përdorur edhe arma dhe janë plagosur dy qytetarë të kësaj komune. Duhet pasur parasysh se edhe pse janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë, të dyja këto raste janë kryer jashtë detyrës zyrtare dhe rrjedhimisht këta pjesëtarë të FSK-së nuk gëzojnë ndonjë mbrojte të veçantë ligjor siç parashihet me Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë”, deklaron ai.

Sipas tij, ky ligj parasheh që gjatë kryerjes së detyrës, një pjesëtarë i FSK-së, nuk mund të arrestohet nga Policia e Kosovës.

“Ky ligj parasheh që gjatë kryerjes së detyrës dhe për shkak të saj, pjesëtarit aktiv dhe në rezervë i garantohet mbrojtja e veçantë ligjore dhe po ashtu përcakton që pjesëtari i FSK-së nuk mund të arrestohet nga Policia e Kosovës, brenda hapësirave dhe zonave të FSK-së”, shton ai.

Edhe, avokati Musa Demati thotë se Kosova ende nuk e ka të përfunduar legjislacionin penal, me të cilin do të rregulloheshin çështjet dhe raportet ligjore që kanë të bëjnë me ushtarët.

“Kosova ende nuk e ka të përfunduar legjislacionin penal dhe infrastrukturën ligjore për ushtrinë, bazuar në të cilën do të ishin rregulluar çështjet dhe raportet ligjore të cilat kanë të bëjnë me elementët ushtarake apo ushtaret e caktuar”, thekson ai.

E në mungesë të kësaj, Demati pohon se ato po shqyrtohen me legjislacionet civile dhe kodin penal.

Damati: Kosova duhet të avancojë edhe në këtë fushë duke ngritur kapacitet ligjore

“Në mungesë të legjislacionit i cili do t’i rregullonte raportet juridike me elemente ushtarake, tani ato po shqyrtohen me legjislacionet civile dhe kodin penal, e që do të duhej të ishte e kundërta pra të shqyrtoheshin në baze të legjislacionit të veçantë dhe të trajtoheshin nga gjykatat ushtarake të themeluara sipas ligjit të veçantë në Kosovë, ashtu siç ndodhe në vendet e zhvilluara të BE-së dhe SHBA-ve”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të avancojë edhe në këtë fushë duke ngritur kapacitet ligjore, në mënyrë që rastet e tilla me elemente ushtarake të trajtohen në bazë të specifikave që kanë.

“Republika e Kosovës mendoj se duhet të avancoj edhe në ketë fushë duke ngritur kapacitet ligjore por edhe mekanizmat shtet formues në mënyrë që rastet e tilla me elemente ushtarake të trajtohen në bazë të specifikave që kanë”, thekson Damati.

Kur flasim për psikologjinë e një njeriu në përgjithësi, dhe si vjen puna deri tek dhuna, psikologu Rron Kastrati thotë se kjo vjen nga çrregullimet e personalitetit.

Kastrati, thotë se ndodh shumë shpesh që njerëzit që kryejnë dhunë janë edhe përdorues të substancave narkotike.

“Një dhunues i cili kryen dhunë kur është i rritur, në fëmijëri ai ka qenë i ngacmuar ose i neglizhuar nga familja ose rrethi social, këta dhunues nëse nuk ndëshkohen ligjërisht mund ta përsërisnin sjelljen e tyre, pasi sjellja e tyre mund të përforcohet”, shprehet Kastrati.

Ndryshe, këto dy raste që ndodhën së fundmi në vendin tonë, sollën reagime të shumta nga shumë personazhe, madje u kërkua edhe dorëheqja e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj, kishte shprehur keqardhje për rastin e ndodhur në Shtërpcë, dhe kishte bërë me dije se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. /arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme