Përfaqësuesja e lartë e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova në një takim që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Komisionin për Legjislacion ka theksuar nevojën për të bërë progres konkret me fokus në legjislacionin që ka të bëjë me sundimin e ligjit që aktualisht është duke pritur miratimin në Kuvend.
Apostolova në një postim në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur disa ligje për të cilët ka bërë thirrje për miratim gjatë takimit të përbashkët.
“Ne bëmë thirrje për miratimin e Ligjit mbi kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, Kodin penal, Ligjin për mbrojtje ne sinjalizuesve, Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe progres të vazhdueshëm drejt miratimit të Kodit të procedurës penale”, ka shkruar Apostolova.
Kryeparlamentari Kadri Veseli pas diskutimit lidhur me projektligjet që lidhen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) ka thënë se për Kuvendin dhe për të gjithë qytetarët e vendit, agjenda e integrimit evropian është prioritet i cili nuk ndërlidhet vetëm më standardet apo kriteret të cilat mund të jenë të momentin akut, por ka të bëjë me vet perspektivën euro-atlantike.
Ai shtoi se aktualisht në procedurë të shqyrtimit nga ana e Komisionit për Legjislacion janë katër projektligje të proceduara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat ndërlidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, por që ende nuk janë proceduar në seancë.
Bëhet fjalë për Kodin Penal, Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe për Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme.
“Kjo reformë në sistemin e drejtësisë dhe integrimet evropiane, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi në momente të caktuara, janë çështje të cilat duhet të na bashkojnë”, theksoi Veseli.
Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Apostolova, nga ana e saj, tha se këto ligje do të duhej miratuar më parë, ndërsa bëri të ditur se në fund të nëntorit pritet të bëhet një vlerësim i miratimit të legjislacionit që lidhet luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se katër ligjet e përmendura janë në procedurë të shqyrtimit në komision, përkatësisht në grupe punuese dhe së shpejti pritet të procedohen tutje.
Duke dhënë sqarime për secilin projektligj veç e veç, Haxhiu tha se duhet të kihet parasysh se komisioni që ajo drejton është mjaft i ngarkuar me punë dhe shqyrtimi i projektligjeve me procedurë të përshpejtuar mund të përcillet me probleme në zbatimin e tyre.
Pas diskutimeve të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Veseli theksoi se Kuvendi, përkatësisht Komisioni për Legjislacion, merr përgjegjësinë të procedojë këto projektligji gjatë këtij muaji.
“Ideja është shumë e qartë: ne do të lëvizim drejt BE-së, do të përmbushim çdo kriter që ka të bëjë me agjendën e reformave evropiane. Ky ishte edhe zotimi që dhamë në komision. Përkrahja e Zyrës së BE-së është shumë e sinqertë dhe shumë e drejtpërdrejtë”, theksoi pas takimit Veseli.
Zgjedhet Formacioni i vitit 2024 në Superligë sipas votave t...
A do të rikthehet ndonjë ish-banor sonte në Big Brother VIP ...
Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së...
Numri i serbëve në Kosovë – vetëm sipas vlerësimit
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...