“Fakti që shteti po përpiqet t’i diskreditojë kërkesat tona tregon se përfaqësuesit e pushtetit në Serbi nuk janë të gatshëm të fillojnë një dialog serioz me komunitetin shqiptar”, tha Shaip Kamberi, deputet i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi i është përgjigjur kështu njoftimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili e cilësoi protestën e një pjese të komunitetit shqiptar kundër diskriminimit, si përpjekje për të “shkaktuar tensione të reja dhe për destabilizimin e rajonit”.
Analistët nga ajo pjesë e Serbisë, ku shqiptarët janë pakica më e madhe kombëtare, thonë se kërkesat e paraqitura në protestën në Bujanoc janë të arsyeshme, por theksojnë gjithashtu se tubimi ka shërbyer edhe si një mënyrë për të balancuar forcat mes partive politike shqiptare.
Planet presin të zbatohen
Protesta në Bujanoc më 12 gusht u organizua nga Këshilli Nacional i Pakicës Kombëtare Shqiptare, ku u theksuan problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Serbi.
Ndër më të mëdhatë janë fakti që Serbia nuk i njeh diplomat e marra në universitetet e Kosovës, heqja e adresave të banimit të shqiptarëve në Serbi dhe numri i vogël i pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në administratën shtetërore.
Në të njëjtën ditë, Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njoftoi se nuk ka diskriminim administrativ ndaj shqiptarëve në Serbi dhe akuzoi organizatorët për “keqpërdorim të shqiptarëve nga jugu i Serbisë”.
Ata, gjithashtu, pretendojnë se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nuk iu përgjigjën disa thirrjeve për dialog të dërguara nga Qeveria e Serbisë dhe Trupi Koordinues.
Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputet i Kuvendit të Serbisë, thotë se në çerekun e fundit të shekullit, përfaqësuesit shqiptarë dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë kanë arritur tri marrëveshje për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi: në vitin 2001, në vitin 2013 kur u pranua Plani prej 7 pikash, dhe në vitin 2022 kur u miratua Plani i Veprimit për integrimin e anëtarëve të pakicës shqiptare në institucionet shtetërore.
Dy vjet më parë, Trupi Koordinues, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, punuan për hartimin e Planit të Veprimit, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Sipas Kamberit, organi koordinues po përpiqet të heqë dorë nga përgjegjësia për rezultatet e këqija përmes retorikës së saj.
“Sipas Planit të Veprimit, integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore duhej të fillonte në vitin 2023. Tashmë ka kaluar gjysma e parë e vitit 2024 dhe ai proces ende nuk ka filluar. Pasi nuk ka përgjigje për pyetjen pse zbatimi i planit nuk është iniciuar, ata thonë se ne duam ta shkatërrojmë shtetin”, vlerëson Kamberi.
Tri marrëveshjet e arritura për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi janë për Kamberin një argument kundër pretendimeve të Trupit Koordinues se përfaqësuesit shqiptarë e kanë shpërfillur thirrjen për dialog.
“Të gjitha këto marrëveshje janë rezultat i përpjekjeve tona për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut”, thotë Kamberi.
Nga administrata te simbolet kombëtare
Regjistrimi i vitit 2022 tregoi se më shumë se 61.000 shqiptarë jetojnë në Serbi, kryesisht në tri komuna në jug të Serbisë – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Përfaqësuesit politikë të komunitetit shqiptar nga këto tri komuna, që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës, shpesh e kanë theksuar diskriminimin administrativ nga autoritetet në Serbi.
Sipas të dhënave nga Plani i Veprimit, në të cilin REL-i kishte qasje, nga gjithsej 800 anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në tri komunat në jug, 233 vijnë nga komuniteti shqiptar.
Kamberi thotë se në konkursin e fundit për gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Bujanoc morën pjesë dy kandidatë nga komuniteti shqiptar dhe nuk u pranuan, edhe pse kishin nota të njëjta me kandidatët e tjerë.
“Situata është e ngjashme edhe në institucionet tjera”, thekson Kamberi.
Në fund të vitit të kaluar, përfaqësuesit shqiptarë vunë në dukje një rritje të numrit të pasivizimeve, gjegjësisht çaktivizimit të adresave të shqiptarëve nga policia serbe, duke akuzuar autoritetet për fshirje të paligjshme të qytetarëve të komunitetit shqiptar për t’iu mohuar të drejtat elementare.
Përfaqësuesit e Qeverisë e mohuan një gjë të tillë.
Problemi i çaktivizimit të adresave përmendet në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë në vitin 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.
Shaip Kamberi thotë se në Kuvendin e Serbisë ka dorëzuar katër iniciativa ligjore lidhur me përdorimin e simboleve të pakicave kombëtare, gjuhës, pjesëmarrjen e pjesëtarëve të pakicave në institucionet gjyqësore në Bujanoc dhe Preshevë, si dhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit të Serbisë, procedurën për formimin e grupit parlamentar të pakicave kombëtare me tre në vend të pesë deputetëve sa kërkohen aktualisht.
Të gjitha këto nisma, thotë ai, e kanë kaluar procedurën në komisionet parlamentare, por ende nuk kanë arritur të futen në rend dite të Kuvendit.
“Kjo tregon se në Beograd nuk ka gatishmëri për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, thotë Kamberi.
Qeveria e Serbisë, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, nuk iu përgjigjën kërkesës për të komentuar kërkesat që komuniteti shqiptar i paraqiti në protestën e 12 gushtit.
Fërkimet lokale
Në radhët e para të protestës së mbajtur në qendër të Bujanocit ishin përfaqësues të disa partive politike të komunitetit shqiptar – përveç Partisë për Veprim Demokratik të Kamberit, ishin edhe anëtarë të Partisë Demokratike të Nagip Arifit dhe Lëvizjes për Progres Demokratik të Shqiprim Musliut. E përbashkëta e tyre është se të gjitha partitë janë në opozitë në Bujanoc.
Drejtori i Qendrës joqeveritare për monitorim dhe hulumtim në Preshevë, Kujtim Sadriu, thotë se pjesëtarët e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë kanë shumë arsye për të protestuar.
“Para së gjithash, ka diskriminim administrativ ndaj shqiptarëve, sidomos kur bëhet fjalë për pasivizimin e adresave, që është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Sadriu.
Mirëpo, ai shton se protesta në Bujanoc ishte një tubim opozitar i aktorëve politikë të cilët, siç thotë Sadriu, “kanë qenë në pushtet për gati dhjetë vjet.”
“As që e kishin menduar të organizonin një protestë të tillë kur ishin në pushtet”, shton Sadriu.
Sipas fjalëve të tij, bëhet fjalë për një balancim politik të forcave mes partive politike shqiptare.
Trupi Koordinues për Jugun e Serbisë në deklaratën e tij vlerësoi se protesta nuk ka të bëjë me të drejtat e kërcënuara të komunitetit shqiptar, por “me largimin e Shaip Kamberit, Nagip Arifit dhe Shqiprim Musliut në Komunën e Bujanocit dhe çuarjen në opozitë”.
Shaip Kamberi thotë se të gjitha kërkesat e paraqitura në protestë janë pjesë përbërëse e Planit prej 7 pikash, “i cili është rezultat i bashkëpunimit të të gjitha partive politike shqiptare”.
“Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për një luftë politike brenda bllokut tonë, por për kërkesa themelore për të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë”, thotë ai.
Sipas raportimit nga vendi i ngjarjes, në protestë, por larg rreshtave të parë, ishte edhe kryetari aktual i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti. Partia e tij, Fronti për Ndryshim, mori pushtetin lokal në Bujanoc në fund të korrikut 2024.
Me këtë përfundoi mbretërimi prej dy dekadash i partive të Shaip Kamberit dhe Nagip Arifit në Bujanoc.
Pajaziti formoi qeverisjen lokale me këshilltarët e Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila ka qenë në pushtet në nivel republikan për 12 vjet. Për shkak të kësaj, ai ishte cak i kritikave nga partitë shqiptare të opozitës.
Pajaziti nuk iu përgjigj thirrjeve të REL-it për të bashkëbiseduar për këtë temë.
Paraprakisht, në prill të vitit 2024, Komuna e Preshevës ra në krizë politike, pasi Kuvendi Komunal u shpërnda dhe kryetarit të atëhershëm të komunës, Shqiprim Arifi, iu ndërpre mandati.
Qeveria e Serbisë vendosi Autoritetin e Përkohshëm, të cilin Arifi e cilësoi si “largim me forcë” dhe diskriminim ndaj shqiptarëve.
Pas zgjedhjeve lokale, kryetare e Komunës së Preshevës u bë Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik e Kamberit.
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...