Përfaqësuesit e SBASHK-ut u takuan me kryetarin e Prishtinës, e falënderojnë për bashkëpunimin

12:57 | 26 Shtator 2023
E.H

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj është takuar sot me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Përmes një komunikate nga SBAShK-u, bëhet e ditur se Jasharaj ka përgëzuar kryetarin e Prishtinës për gjithë angazhimet në shërbim të qytetarëve, dhe për bashkëpunimin e tij e të Drejtorisë së Arsimit me SBASHK-un në përpjekjet e përbashkëta në shërbim të arsimit dhe të realizimit të kërkesave të anëtarësisë.

“Kryetari i SBASHK-ut ka deklaruar se kemi pasur pritje se ky vit shkollor do të fillojë mbarë, por vendimi i gabuar i MASHTI-t lidhur me tekstet shkollore krijoi probleme të theksuara gjatë gjithë muajit shtator ngase furnizimi me tekste shkollore pa fajin e prindërve, mësimdhënësve e nxënësve ka ndodhur me një ritëm shumë të ngadalshëm. Koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri i ka treguar kryetarit Rama për shumë nga aktivitetet e SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë dhe të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë. Ai pastaj ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar me dialogun e sinqertë dhe bashkëpunimin e përbashkët në shërbim të arsimit në kryeqytet”, thuhet në njoftimin për media.

Kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për Prishtinën, Ahmet Pllana është shprehur se bashkëpunimi me DKA-në e Prishtinës është në nivel dhe se kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen, sepse kur ka dialog e bashkëpunim të sinqertë, atëherë nuk mungojnë as angazhimet e përbashkëta e të suksesshme për të realizuar misionin e shenjtë për arsimimin dhe edukimin e brezave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur respekt për angazhimet e SBASHK-ut si zë i fuqishëm i punëtorëve arsimor dhe ka treguar për gatishmërinë e tij e të gjithë institucioneve komunale për të vazhduar me bashkëpunimin dhe angazhimet e përbashkëta në shërbim të arsimit. Ai ka përmendur edhe angazhimet që përmes mjeteve bashkëkohore të punës mësimi të bëhet më atraktiv dhe më i lehtë për nxënësit duke ndihmuar kështu edhe në ngritjen e cilësisë në arsim./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme