Përfaqësuesit e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje për krijimin e qeverisë së re. Sipas tyre, çdo prolongim i krijimit të institucioneve të reja do të shkaktojë dëme të thella ekonomike dhe dëmtim të sektorit privat. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeverisje të qëndrueshme e cila do të mund të shtynte përpara një agjendë dinamike të reformave ligjore në të gjitha sferat, me theks të veçantë në qeverisjen ekonomike.
Përfaqësuesit e odave të afarizmit vendor dhe ndërkombëtar u kanë bërë thirrje politikëbërësve në Kosovë që sa më shpejt ta formojnë qeverinë e re në mënyrë që të merret me çështjet ekonomike. Sipas tyre, është nevojë urgjente që qeveria e re të merret me rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga Covid-19, të fuqizohet sektori privat, sektori i energjisë, të punohet për krijimin e vendeve të reja të punës dhe të punohet më shumë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, ka përmendur ligjet të cilat duhet të jenë prioritet në qeverisjen e ardhshme. Zeka ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova ka nevojë për qeveri stabile në mënyrë që të ketë përparim ekonomik në vend. “Kosova ka nevojë për një qeverisje të qëndrueshme e cila do të mund të shtynte përpara një agjendë dinamike të reformave ligjore në të gjitha sferat, por me theks të veçantë në qeverisjen ekonomike. Qeveria e re duhet të ketë parasysh që efektet e reformave që ata synojnë, duhet të shtrihen përtej kohëzgjatjes së një mandati qeverisës. Qeveria e re duhet të përpiqet ta përmbushë agjendën legjislative, e cila përfshin një sërë ligjesh nga fusha ekonomike, siç janë projektligjet tatimore, Projektligji për Gjykatën Komerciale, Projektligji për investimet strategjike etj”, u shpreh ai.
Pos këtyre projektligjeve, sipas Zekës, me prioritet të veçantë duhet të shikohen edhe dëmet e shkaktuara nga Covid-19. “Sidoqoftë, me prioritet të lartë duhen adresuar edhe dëmet e shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe të ridizajnohet struktura ekonomike e vendit, për të cilën do të duhej të fuqizonte dialogun me sektorin privat, por edhe hisedarët e tjerë jopolitikë”, u shpreh ai.
Zeka ka deklaruar se vonesat për formimin e institucioneve të reja përkthehen në regres të reformave ekonomike. “Vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re do të nënkuptonin edhe vonesë në procesin e reformave dhe përparimit ekonomik dhe social, prandaj politikëbërësit duhet t’i shmangin vonesat e panevojshme”, u shpreh ai.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike i Kosovës (OEAK), Berat Rukiqi, ka thënë se është mirë që sa më shpejt qeveria e re të merret me trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia.
Rukiqi ka numëruar çështjet të cilat duhet të jenë prioritet ekonomik i ligjvënësve. “Qeveria e re duhet ta trajtojë menjëherë çështjen e rikuperimit të dëmeve të shkaktuara nga pandemia dhe pasojat e shkaktuara në vitin që lëmë pas, por edhe sfidat e këtij viti”, ka thënë Rukiqi për gazetën “Epoka e re”.
Pos rikuperimit të dëmeve, Rukiqi ka thënë se hapat e parë të qeverisjes së re duhet të jenë: fokusimi në forcimin e sektorit privat, sektori i energjisë dhe angazhimi në drejtim të shkathtësive të tregut të punës. “Pasojat e shkaktuara nga pandemia janë ende evidente, prandaj ky duhet të jetë fokusi kryesor pa anashkaluar asnjëherë forcimin e sektorit privat, aftësimin në shkathtësitë që i kërkon tregu, krijimin e vendeve të punës si dhe fokusimin në sektorin e energjisë”, u shpreh Rukiqi.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se vonesat e krijimit të qeverisë në aspektin ekonomik mund të jenë shumëdimensionale. “Vonesat për krijimin e qeverisë së re, nëse do të ndodhë një gjë e tillë, do të jenë shumëdimensionale. E para, një vonesë e tillë do të kishte pasoja të mëdha dhe të parikuperueshme në shëndetin publik, në qoftë se me kohë nuk do të sigurohen vaksinat anti Covid-19. E dyta do të shkaktonte vonesa në fillimin e zbatimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe, e treta, në qoftë se do të kishte vonesa të tilla, ato do ta zbehnin një proces shumë të rregullt dhe demokratik zgjedhor. Ne presim që këto vonesa mos të shfaqen pasi që kemi një forcë politike e cila ka arritur një fitore bindëse dhe që na jep të besojmë se edhe formimi i institucioneve të reja do të arrijë ta menaxhojë në mënyrë më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.
Ujkani e ka konsideruar me urgjencë zbatimin e planit për rimëkëmbje ekonomike. “Qeveria e re duhet të fokusohet në zbatimin e planit për rimëkëmbje ekonomike. Kjo është e domosdoshme. Prandaj, apeloj që qeveria e re të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, i cili gjithsesi mendojmë se do të jetë një parakusht për zhvillimin ekonomik, ku do të ndihmonte në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, ka deklaruar Ujkani. Sipas tij, reforma e infrastrukturës ligjore dhe rekomandimet e dala nga White Book 2020 duhet të jenë prioritet i qeverisjes së re. “Për këtë arsye ne si EIC vlerësojmë shumë të nevojshme një reformë gjithëpërfshirëse të infrastrukturës ligjore e cila ndërlidhet me tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Kosova ka potencial për të qenë një vend atraktiv për investitorët e huaj. Ne si KIE ftojmë qeverinë e re që krahas përgjegjësive të tjera, ta marrë shumë seriozisht zbatimin e rekomandimeve që dalin nga dokumenti White Book 2020”, u shpreh ai.
Edhe drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi, ka thënë se si pasojë e stabilitetit politik në vend, sektori privat është përballur dhe vazhdon të përballet me shumë sfida. Ai ka bërë thirrje për krijimin sa më parë të institucioneve të reja. “Ne si Odë e Afarizmit e Kosovës jemi duke monitoruar punën të cilën është duke e kaluar sektori privat. Si pasojë e mungesës së qeverisjes stabile dhe stagnimit të shumë ligjeve dhe projektligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë, sektori privat vazhdon të sfidohet. Bizneset në Kosovë po përballen me humbje të mëdha. Kjo po ndodh edhe si pasojë e pandemisë, por edhe jostabilitetit politik”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se bizneset janë duke u përballur me vështirësi financiare, pa mundur t’i mbulojnë as shpenzimet.
Kurse, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që të formohet sa më shpejt Qeveria e re e Kosovës pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai për “Epokën e re” ka thënë se formimi i shpejtë i qeverisë duhet të ndodhë në funksion të zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale dhe proceseve integruese. “Unë besoj se në këto zgjedhje fitojë Kosova dhe qytetarët e Kosovës, gjë që treguan model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e ndryshme evropiane dhe një dalje e tillë masive e qytetarëve për të votuar është mesazh i qartë se qytetarët janë për ndryshim dhe për një ardhmëri siç e meriton civilizimi. Në këtë drejtim dua të besoj se është obligim moral i fitueseve që të bëjnë çmos që të krijojnë institucionet e reja dhe demokratike në interes të shtetit dhe të qytetarëve, gjithnjë duke pas parasysh kohën e pandemisë që jemi”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka thënë se çdo bllokadë politike për formimin e institucioneve do të shkojë në disfavor të ekonomisë së vendit dhe në favor të kundërshtarëve politik të Republikës së Kosovës. “Problemet e grumbulluara janë shumë të mëdha, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social, integrues dhe psikologjik. Prandaj, dua të apelojë tek lidershipi që mos të krijohet bllokadë ekonomike, pasi do ta dëmtojnë Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe kjo bllokadë do të shkonte në favor të kundërshtarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, një fitore e tillë është obligim që të fillojnë sa më shpejtë t’i përveshën punës, jo me euforizma dhe revanshime, por me dialog dhe partneritet të mirëfilltë, pasi Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë meritojnë të ardhme me të mirë”, ka thënë Gërxhaliu.
Më tutje, ai ka thënë se qeverisja e re duhet t’i ketë në fokus ndërmarrjet publike, ruajtën e partneritetit me ShBA-në dhe Evropën, si dhe fokusimin në kapacitete gjeneruese.
Sipas tij, udhëtimet e para të kryeministrit të ri duhet të jenë në Uashington, Bruksel dhe Berlin. “Duhet kuptuar se janë trashëguar probleme nga e kaluara dhe në këtë drejtim dua të besoj se rrugëtimet e para të kryeministrit të ri do të jetë në Uashington, Bruksel e Berlin, jo në Tiranë. Në rend të dytë në aspektin ekonomik besoj se është urgjente që të kthehet shpresa e humbur tek qytetarët që këtu mund të këtë ambient për biznes, mund të këtë sektor priva të fuqishëm dhe mund të këtë investime të huaja dhe mund të përmirësohet imazhi i vendit. Të gjitha këto mund të arrihen atëherë kur do të këtë sundim të rendit dhe ligjit dhe do të këtë unitete politik qoftë të pozitës dhe opozitës qoftë për mes partnerëve të koalicionit dhe jo politika të jetë faktori kyç i stagnimit ekonomik”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka thënë se fokus i veçantë duhet t’u jepet ndërmarrjeve publike, gjegjësisht sipas tij, qytetarët e Kosovës, duhet ta dinë se çfarë do të ndodh me to. “Në kampanjën zgjedhore kemi parë programe teorike, por qytetari i Kosovës duhet ta di çfarë do të ndodhë me ndërmarrjet publike që janë shndërruar në barrë të rënd për qytetarë si Posta dhe Telekomi i Kosovës, ‘Trepça’ dhe çfarë do të ndodh me kapacitete prodhuese që i ka Kosova, dhe po ashtu cili do të jetë fati i procesit të privatizimit që nga AKP-ja është ndërruar në biznes privat. Po ashtu, duhet të dimë se a do të bëhet një reformë e administratës publike pa e anashkaluar rëndësinë e dialogut për normalizim të raporteve në me të Kosovës dhe Serbisë dhe shumë sfida tjera. Jemi të vetëdijshëm që vet krijimi i qeverisë së re s’është shkop magjik për t’i zgjidhur problemet grumbulluara nga e kaluara, por duhet të jetë një mobilizim i të gjithë akterëve relevant që të kontribuojnë për shtet dhe jo për interesa të partive dhe grupeve të interesit. Mos të harrojmë se gjatë fushatës, premtimet kanë qenë shumë të mëdha për mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik, prandaj kur kemi premtime të mëdha edhe zhgënjimi mund të jetë i madh”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...
Çfarë nuk i pëlqeu Gjestit te Xheneta gjatë darkës?
Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumon...